Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Blegtorale rritet për 0.7 për qind
Prishtinë, 13 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi TM3 2014.
Publikimi përfshin të dhëna për muajt korrik- shtator (TM3 2014), (2005 = 100), si dhe janë janë prezantuar të dhëna për TM3 të viteve 2005 2014, për të bërë krahasime.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Blegtorale, në tremujorin e tretë të vitit 2014, ka rritje për 0.7%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Bimore, në tremujorin e tretë të vitit 2014, ka rritje për 1.4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.
Ndërkaq, Indeksi total i prodhimeve bujqësore ka rritje për 0.8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, në ferma dhe në vendet e tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet, që krijojnë bazën për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve Bujqësore, janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për kafshët dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.
Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.