Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për 3.79 për qind
Prishtinë, 7 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e parë (TM1 2021).
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.
Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.
Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.
Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.
Në tremujorin e parë të vitit 2021, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për (-3.79%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 5.26%.
Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rënie për (-1.81%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.