Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale bie për 8.9 për qind
Prishtinë, 17 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e tretë TM3 2015.
Për të bërë krahasime dhe për ti vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e tretë (TM3) të viteve 2010 2015.
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe në vendet e tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për kafshët dhe prodhimet blegtorale.
Në kuadër të blegtorisë çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.
Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë.
Në tremujorin e tretë të vitit 2015 indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për - 8.9% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për - 1.1% në tremujorin e tretë të vitit 2015 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rënie për - 4.2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.