Indeksi i çmimeve në bujqësi shënon rënie për 3.2 për qind
Prishtinë, 20 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi TM4 -2014.
Publikimi përfshin të dhëna prej muajit korrik deri në shtator të vitit 2014 (TM4 -2014).
Indeksi i Çmimeve të Inputeve në Bujqësi është bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Ky grumbullim i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, barnatoret veterinare, në kompani, tregje dhe vende tjera ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion.
Produktet bazë për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).
Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farërat dhe materialet mbëltuesë, energji, vajrat, plehrat dhe përmirësuesit e tokës, produktet për mbrojtjen e bimëve dhe pesticidet, shpenzimet për veterinari, lëndët për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallrat dhe shërbimet tjera.
Ndërsa sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje tjera), ndërtesat (ndërtesat të fermës, punët tjera përveç përmirësimit të tokës, ndërtesat tjera, struktura e tyre) dhe të tjera.
Në TM4 2014, Indeksi i Çmimeve të Inputeve ka shënuar rënie për 3.2 % për Input 1, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013. Kurse, Indeksi për Input 2 ka rritje për 2.7 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013. Indeksi total i Inputeve në Bujqësi (Input 1+Input 2) ka rënë për 2.8 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.