22 Dhjetor 2024

Inaugurohet qendra e përpunimit te qumështit në Llozhan

Pejë, 8 dhjetor - Në fshatin Llozhan të komunës së Pejës, sot u inaugurua edhe një projekt i përkrahur nga Komisioni Evropian.

Ndërtimi dhe kompletimi i qendrës për përpunimin e qumështit në këtë fshat, e cila për qëllim kryesor ka ngritjen e kualitetit të produkteve vendore dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit, ka kushtuar gjithsej 267.300 euro dhe rreth 75% e vlerës së përgjithshme është financuar nga skema e granteve rurale të Komisionit Evropian.

Në prezantimin dhe inaugurimin e kësaj qendre për përpunimin e qumështit, pjesëmarrës ishte edhe ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, i cili tha se faktorët e prodhimit me të cilët disponon vendi, mund të sigurojnë një avantazh konkurrues në prodhimin e disa nënprodukteve të qumështit dhe një vetëmjaftueshmëri për nevojat tona konsumuese, por kërkohet një avancim dhe shfrytëzim më racional i të gjithë këtyre faktorëve të prodhimit dhe një impenjim më i madh i të gjithë palëve të interesit në këtë fushë.

“Ky është vetëm njëri nga projektet e shumta që po i financon KE-ja duke zbatuar strategjinë tonë për zhvillimin e bujqësisë. Janë gjithsej 7 projekte pothuajse të ngjashme vetëm në sektorin e qumështit që janë përkrahur nga KE-ja në vlerë prej rreth 2.8 milionë euro."

"Kjo qendër është model edhe për të ardhmen sesi duhet të punojmë dhe sesi duhet të bashkëpunojmë në mënyrë që t’i realizojmë projektet tona”, potencoi ministri Stavileci, duke shtuar më tej se forca motorike që vë në lëvizje tërë sektorin është guximi i fermerëve dhe ndërmarrësia e tyre për t’ju prirë ndryshimeve së bashku.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i ZNKE-së në Kosovë, Melvin Asin, tha se me investime të tilla synojnë të forcojnë konkurrueshmërinë e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, si dhe të forcojnë zinxhirin e vlerave dhe të krijojnë mundësi të reja për punësim në zonat rurale.

“Bujqësia është një komponent jetik për ekonominë e Kosovës dhe ka potencial për t’u fuqizuar edhe më shumë, prandaj po e mbështesim zhvillimin e saj edhe ne nëpërmjet skemës së granteve. Ky projekt përfshin 12 komunitete në 12 fshatra të këtij rajoni dhe jemi të sigurt që do të kontribuojë edhe në arritjen e objektivave të planit për bujqësi dhe zhvillim rural të Ministrisë së Bujqësisë, sepse adreson çështjet kyçe të zhvillimit dhe modernizimit të këtij sektori”, deklaroi Asin.

Ndërsa, kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, duke folur për rëndësinë e këtij projekti tha se funksionalizimi i këtij projekti ka qenë shumë i nevojshëm për komunën e Pejës.

“Komuna e Pejës në vizionin e zhvillimit të saj i ka dy rrugë kryesore, zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin e bujqësisë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim edhe në të ardhmen projektet e tilla, sepse e dimë rëndësinë e sektorit të bujqësisë, në veçanti për krijimin e vendeve të reja të punës. Si komunë sivjet kemi rritur në masë të konsiderueshme buxhetin për këtë sektor dhe do të vazhdojmë të mbështesim projekte të ngjashme, sepse përmes një mbështetje të tillë mbështesim edhe zhvillimin e kësaj komune”, tha kryetari Berisha.

Projekti për ndërtimin e kësaj qendre është implementuar nga rrjeti regjional “Agrodukagjini” dhe Fondacioni AVSI, si dhe është mbështetur edhe nga komuna e Pejës dhe KFOR-i italian.

Të pranishëm në inaugurimin e kësaj qendre ishin po ashtu edhe ambasadori italian në Kosovë, Michael Giffoni dhe komandanti i KFOR-it italian, Andrea Borzaga.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)