22 Dhjetor 2024

Inaugurohet pika grumbulluese e përpunuese e mjaltës në Ferizaj

Prishtinë, 24 nëntor - Në fshatin Komogllavë të komunës së Ferizajt, sot u inaugurua pika grumbulluese e mjaltës, e cila do të menaxhohet nga shoqata e bletarëve “Apikultura”. Ndërtimi i kësaj pike është pjesë e projektit të financuar nga skema e granteve për zhvillimin regjional të EURED-it.

Në fjalën e tij të rastit, ministri Stavileci tha se projektet e realizuara nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë janë duke krijuar lidhje në njërin prej segmenteve më të ndjeshme të sektorit të bujqësisë.

“Segmenti në të cilin ne çalojmë më së shumti është agropërpunimi dhe marketingu i produkteve bujqësore e blegtorale dhe projektet që jemi duke i inauguruar këto ditë mbështesin më së shumti këtë dimension të sektorit. Besojmë që në të ardhmen do të ketë mbështetje edhe më të mëdha nënsektori i bletarisë, sepse janë rreth 6 mijë bletarë në vendin tonë dhe kjo shifër tregon shumë se sa është kapaciteti i këtij sektori”, tha Stavileci.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë, Khaldon Sinno, tha se populli i Kosovës jeton në një vend me shumë tokë bujqësore dhe për këtë ne i kemi harmonizuar qëndrimet me Qeverinë, me të cilën e kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si njërin ndër faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në periudha afatmesme dhe afatgjate.

“Duke shëtitur nëpër Kosovë, rastisim në shumë ferma dhe fermerë të vegjël dhe mundësia më e mirë për t’i bashkuar të gjitha këto në aktivitetet e tyre, që kjo mandej të rezultojë me produkte që plasohen në treg është që të investojmë në projekte të tilla. Ne po mundohemi ta bëjmë këtë, sepse kjo është shumë e rëndësishme për sektorin”, tha Sinno.
 
Ndërsa, kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, tha se sektori i bujqësisë tashmë është bërë prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Sektori i bujqësisë tash është bërë prioritet për Qeverinë dhe besoj se trajtimi i këtij sektori në këtë mënyrë është shumë i qëlluar, sepse është sektori që mund të na hap më së lehti dhe më së shpejti vende të reja të punës”, tha Xhemajli.

Në kuadër të shoqatës së bletarëve “Apikultura” aktiv janë gjithsej 64 bletarë, mirëpo nga kjo pikë grumbulluese e mjaltit do të përfitojë i gjithë rajoni i Ferizajt, i cili ka gjithsej mbi 200 bletarë dhe rreth 4.000 zgjoje bletësh.

Ndërtimi i kësaj pike grumbulluese është pjesë e projektit të BE-së “Zhvillimi Ekonomik Rajonal në Kosovë Lindore”, të cilin BE-ja e ka financuar me gjithsej 435.438 euro.

.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)