Inaugurohet objekti i ri i kompanisë Eurofruti
Prishtinë, 23 gusht - Inaugurohet objekti i ri i kompanisë Eurofruti në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës. Kompania Eurofruti, e cila merret me grumbullimin e kërpudhave malore dhe bimëve të imëta, me ndihmën e projektit për promovimin e hortikulturës në Kosovë të organizatës Intercooperation, ka finalizuar ndërtimin e objektit të saj të ri punues.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se kjo kompani kishte nevojë imediate për zgjerimin e kapaciteteve të saj për të pranuar më shumë produkte të grumbulluara malore, ngase nënsektori i pemëve të imta dhe ai i frutave malore janë nënsektore që ne kemi përparësi konkurruese krahasuar me regjionin.
Duke parë mundësitë dhe kapacitetet e vendeve të tjera, nga hulumtimet e bëra shohim se me disa nga produktet që hyjnë në kuadër të këtyre nënsektorëve mund të jemi shumë më konkurrues në tregjet e regjionit. Ne sivjet kemi përkrahur për herë të parë nënsektorin e pemëve të imëta, por nga viti i ardhshëm do të kemi buxhet shumë më të madh dhe do ti përkrahim në masë më të madhe projektet investive në ngritjen e plantacioneve të reja, tha ministri Stavileci.
Ndërsa, pronari i kompanisë Eurofruti, Bejtush Gashi, tha se ky sektor ka potencial të lartë për zhvillim dhe me adaptimin e standardeve të BE-së dhe furnizimin me pajisje të nevojshme për përpunim, mund të jetë një ndër sektorët kryesor eksportues.
Ky sektor ka kapacitete të larta për eksport dhe me rritjen e kapaciteteve për pranimin, ftohjen, ngrirjen dhe ruajtjen e produkteve për shitje dhe përpunim në rreth 500 tonelata, planifikojmë që ta rrisim edhe sasinë e mallrave eksportuese, tha Gashi, duke shtuar se finalizimi i këtij projekti, në aspektin e punësimit do ti gjeneroj edhe 12 vende të reja pune me orar të plotë, si dhe rreth 50 vende pune sezonale në grumbullimin dhe procesimin e pemëve të imëta dhe produkteve malore jodrunore.
Kompania Eurofruti, përveçse që eksporton në tregjet regjionale, eksporton edhe në shtetin e Italisë, Austrisë, Gjermanisë dhe Holandës.