26 Dhjetor 2024

Inaugurohet fabrika për përpunimin e perimeve “Jaha Group”

Prishtinë, 6 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fabrikës për përpunimin e perimeve “Jaha Group”, në Podujevë.

Të pranishëm ishin edhe ambasadorja gjermane, Angelika Viets,  ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe përfaqësuesi i kompanisë investuese nga Gjermania “Kappa Antipasti”, Klaus Lotz si dhe pronari i \"Jaha Group\".
 
Kryeministri Mustafa u shpreh i lumtur që këto produkte do të eksportohen pikërisht në Gjermani, vend i cili ka ndihmuar shumë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Unë e vlerësoj shumë lartë këtë fabrikë, jo vetëm se do të procesoj këto produkte dhe do t’i eksportoj në Gjermani dhe po ashtu do të shfrytëzoj edhe mbjelljen e tyre këtu në tokën e Podujevës, sepse ne pamë disa prej specave të cilët ishin të cilësisë së lartë, të prodhuara këtu, në krahasim edhe me ato që prodhohen në Greqi, që flet se ne kemi tokë të mirë, kemi njerëz të vyeshëm dhe mund të arrijmë rezultate të mrekullueshme”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin që edhe më tutje t’i jepet prioritet bujqësisë.

“Ky është një shembull i mrekullueshëm dhe po ashtu e vlerësojmë investimin shumë të madh që është bërë deri më tani këtu, sepse është fjala për investim miliona eurosh dhe për një punësim të lartë. Deri më tani kemi mbi 500 punëtorë që kanë filluar dhe kanë gjetur punë në këtë fabrikë, me një mundësi potenciale që kjo të trefishohet, ashtu siç u informuam, për një periudhë të shkurt kohore, prapë me finalizimin e produkteve në Kosovë, përkatësisht në Podujevë”, theksoi kryeministri Mustafa.
 
Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, u shpreh e lumtur që pas një pune intensive është hapur kjo fabrikë nga investitorë gjermanë.

“Më vjen mirë që investitorët gjermanë kanë gjetur vizionin për të ardhur këtu në Kosovë, për të punuar në sektorin e përpunimit të ushqimit. Ky është një sektor ku Kosova ka një potencial dhe Qeveria e ka vënë fokusin kryesor në zhvillimin e sektorit të agrobiznesit. Për këtë arsye besoj se shpejt do të bëhet i suksesshëm”, ka deklaruar ambasadorja Viets.

Vetë ambasadorja u shpreh e lumtur që do të ketë mundësi që edhe vetë të blej speca në marketet gjermane kur të kthehet në Gjermani, duke e quajtur sektorin e përpunimit të ushqimit një industri të qëndrueshme eksportuese.

Përfaqësuesi i kompanisë gjermane “Kappa Antipasti”, Klaus Lotz, u shpreh i lumtur që specat e prodhuar në Kosovë do të përfundojnë në tavolinat në Gjermani dhe me këtë shërbehen mijëra njerëz.

“Ideja ime ishte që kjo prodhimtari të zhvillohet në Kosovë dhe nuk e kemi ditur a do të funksionoj apo jo, mirëpo nuk jemi ndal, e kemi pasur një vizion që gjithçka ta bëjmë në Kosovë me Kappa Antipasti nga Gjermania. Besoj që jemi partner të mirë dhe falënderoj 500 punëtorët që punojnë këtu. Këta 500 njerëz janë motori dhe për këtë falënderoj veçanërisht femrat që punojnë në këtë fabrikë”, ka theksuar Lotz.

Përfaqësuesi i \"Jaha Group\",  Fadil Hoxha, ka bërë të ditur që planet e kësaj kompanie përfshijnë edhe ndikimin në jetën e të punësuarve në këtë kompani, e cila parasheh që të rritet edhe më tutje.
 
“Unë ju garantoj që në emër të vëllezërve, të kompanisë dhe grupit tonë, që nga këtu ne nuk do të marrim përfitime, të gjithë çka del si përfitim, do të investohen direkt në ndikimin social të jetës së njerëzve këtu dhe përmirësimin e standardit jetësor” ka theksuar Hoxha.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)