Inaugurohet Agro Qendra për Karrierë në Fakultetin e Bujqësisë
Prishtinë, 24 mars - Sot, Ambasadori i SH.B.A.-vë në Kosovë Greg Delawie dhe Ambasadori Hungarez në Kosovë László Márkusz inauguruan Agro Qendrën për Karrierë në Fakultetin e Bujqësisë.
Qëllimi i qendrës është të ndihmojë studentët për të aplikuar për punë praktike dhe pozita me pagesë me kompanitë private që merren me bujqësi, si dhe t\'u mundësojë atyre që të kërkojnë mundësi të tjera të punës në sektorin/tregun e bujqësisë.
Dekani i ri i Fakultetit të Bujqësisë, Skender Kaçiu, gjithashtu iu drejtua studentëve dhe shpërndau certifikata për grupin e parë të studentëve të cilët ishin trajnuar kohët e fundit përmes Qendrës për praktikat e mira bujqësore dhe kultivimin e pemëve dhe perimeve.
Përveç kësaj, u bë nënshkrimi zyrtar i pesë granteve të dhuruara për pesë të diplomuarit për kultivimin e dredhëzës, i zyrtarizuar nga Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë Xhejms Houp.
Themelimi i Qendrës është një përpjekje e përbashkët e Programit të USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO) në bashkëpunim me Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.
USAID-i përmes Programit të tij AGRO ka mbështetur krijimin e një faqe interneti për Agro Qendrën për Karrierë nën domenin www.agrokarriera.com, e cila do të sigurojë informacione të mjaftueshme lidhur me zhvillimet dhe risitë në sektorin e bujqësisë, si dhe do të nxjerrë në pah mundësitë e vendeve të lira të punës në tregun e punës.
Ajo do të ketë një platformë të veçantë që do të shfaqë kompanitë bujqësore të sektorit privat, si dhe listat e studentëve dhe kualifikimet e tyre duke përfshirë fushën e tyre të studimit. Kjo paraqet një burim të mirëfillte si për studentët ashtu edhe për kompanitë private.
Në shkurt të këtij viti, Ministria e Resurseve Humane e Hungarisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të Kosovës, kanë nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e 90 bursave për studentët e Kosovës për studime baçelor, master dhe doktoraturë në fusha të ndryshme, brenda 3 viteve ne vijim.
Programi Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale është një program pesëvjeçar i financuar nga USAID-i për të zhvilluar një sektor më konkurres bujqësor në Kosovë përmes ndihmës teknike dhe granteve për fermerët, ndërmarrjet dhe organizatat e tjera të zinxhirëve të synuar të vlerës.
Programi do të vazhdojë për të lehtësuar dhe për të mbështetur sektorin e bujqësisë në Kosovë që të bëhet një sektor më i qëndrueshëm dhe fitimprurës.
USAID-i, ka dhënë ndihmë ekonomike dhe humanitare në të gjithë botën për më shumë se 50 vite.