23 Dhjetor 2024

Importi i grurit dhe miellit arrin në 40 milionë euro

Prishtinë, 3 prill - Rreth 40 milionë euro është importi i grurit dhe miellit brenda vitit në Kosovë, kryesisht nga Serbia dhe Federata Ruse.

Sipas Doganave të Kosovës gjatë vitit 2012 janë importuar 48.6 milionë kilogramë miell, prej të cilave 43.6 milionë kilogramë janë importuar nga Serbia, 2.3 milionë kilogramë nga Austria dhe 1.4 milionë kilogramë nga Hungaria.

Ndërsa nga 107.6 milionë kilogramë grurë të importuar gjithsej gjatë vitit të kaluar, 85.2 milionë kilogramë janë importuar nga Serbia, 9.3 milionë kilogramë nga Rusia dhe 8.3 milionë nga Bullgaria.

“Vlera e grurit dhe miellit të importuar gjatë vitit 2012 dhe pjesën e parë të vitit 2013 arrin në 44 milionë euro, për të cilat Doganat kanë grumbulluar taksa në vlerë prej 6.2 milionë euro”, ka bërë të ditur për “Zërin” zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci.

Derisa statistikat doganore flasin për mijëra tonelata grurë dhe miell të importuara, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë deklarojnë vazhdimisht se nga prodhimi vendor përmbushen më shumë se 70 për qind të nevojave të brendshme.

Sipas një raporti të Ministrisë së Bujqësisë, nga 102 mijë hektarë me drithëra, sa kanë qenë në vitin 2007, në vitin 2011 sipërfaqet kanë arritur në rreth 160 mijë hektarë. Kjo shifër, sipas tyre, është rritur nga viti në vit.

Në anën tjetër, ekspertët e bujqësisë thonë se me prodhimin vendor të grurit nuk përmbushen më shumë se 50-55 për qind të nevojave të brendshme.

“Konsideroj se nga prodhimi vendor i grurit përmbushen vetëm 50-55 për qind të nevojave të brendshme. Pjesa tjetër e nevojshme importohet”, thotë Imer Rusinovci, ekspert i bujqësisë.

Sipas tij, për import të produkteve bujqësore, duke e përfshirë grurin, miellin, vajin, sheqerin etj., brenda vitit shpenzohen rreth 600 milionë euro, e cila shumë, siç thotë ai, është gati sa gjysma e buxhetit të Kosovës.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)