I shkatërrojnë pyjet më të mira
Prishtinë, 28 mars - Pyjet më të mira që i ka Kosova më së shumti sulmohen nga vjedhësit. Kështu ka bërë me dije zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Adil Behramaj.
Nuk mund të flasim për hapësira që janë të shkatërruara në tërësi, sepse nuk jemi duke u ballafaquar me fenomenin e shkatërrimeve në masë dhe në mënyrë të tërësishme, por me dëmtime që kryesisht bëhen skaj rrugëve, në vende ku qasja dhe vjedhja është më e lehtë.
Dëmtime më të mëdha të pyjeve ka në komunën e Ferizajt, Deçanit, Pejës, Istogut, Kaçanikut, Podujevës. Pyje të dëmtuara kemi edhe në komunat e tjera, por dëmet janë më të vogla, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se me delegimin e kompetencave mbrojtja e pyjeve bëhet nga niveli komunal dhe nëpërmjet rojeve të pyjeve nga niveli lokal dhe nga Agjencia Pyjore e Kosovës ne monitorojmë tërë sipërfaqen pyjore të Kosovës, të cilët pastaj edhe i identifikojmë vjedhësit e pyllit, duke u ngritur fletëparaqitje në gjykatat relevante, por këtu edhe përfundon puna e tyre për mbrojtjen e pyjeve.
Kjo pastaj është kompetencë e gjykatave, puna e të cilave lë shumë për të dëshiruar, sepse nga fletëparaqitjet e ngritura në vitin e kaluar, mbi 35 për qind e personave janë recidivistë, që edhe më parë kanë pasur fletëparaqitje për prerje ilegale të pyjeve, të cilëve ende nuk u janë shqyrtuar fletëparaqitjet që i kanë pasur më herët. Në të shumtën e rasteve këta recidivistë bëjnë biznes me masën drusore të prerë ilegalisht, raste kur për persona të njëjtë janë të ngritur me mbi 30 fletëparaqitje, është shprehur ai.
Agjencia Pyjore e Kosovës e ka përgatitur planin vjetor të menaxhimit të pyjeve në vitin 2012, i cili është diskutuar dhe aprovuar nga të gjitha komunat e Kosovës në muajin e kaluar, të cilat tani janë të obliguara edhe ta zbatojnë.
Sipas Behramjat, pjesë e këtij plani është edhe sasia e lejuar për prerjen e masës drusore.
Në këtë vit planifikohet të realizohen prerjet në pyje shtetërore gjithsej 141.518m3, ndërsa në pyjet private 180.210 m3, por kjo sasi mund të rritet në bazë të kërkesës së pronarëve privatë për pronat e tyre. Po ashtu, është paraparë edhe furnizimi i qytetarëve nëpërmjet shitjes së lirë në sasi deri në 7m3, si dhe rrallimeve para-komerciale. Plani i prerjeve bëhet mbi bazën e planeve menaxhuese 10-vjeçare, të cilat lejojnë sasinë e prerjeve pas damkimit nga ana e zyrtarëve të APK-së. Ndërsa, te pyjet private prerjet lejohen pas kërkesës së pronarit, të cilat duhet të paraqiten deri në fund të këtij muaji në APK, pastaj zyrtarët e APK-së bëjnë damkimin e trungjeve për prerje dhe pronarët privaët pajisen me leje për prerje nga komunat e tyre, ka deklaruar ai.
Behramaj ka theksuar se mbrojtja e pyjeve dhe dhënia e lejeve për prerje është përgjegjësi që u është deleguar komunave. Në aspektin e përgjithshëm kemi përmirësim të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve komunale dhe qendrore, sidomos në përgjegjësitë raportuese, por në zbatimin e planit menaxhues, me theks të veçantë në realizimin e prerjeve të planifikuara për plotësimin e nevojave të popullatës me dru për ngrohje, me disa komuna kemi edhe ngecje në bashkëpunim. Ne nëpërmjet Inspektoratit të Pyjeve në vitin e kaluar kemi hartuar 553 procesverbale, 113 vendime, 190 fletëparaqitje, ku 161 kanë qenë për kundërvajtje dhe 29 për vepra penale.
Po ashtu, kemi konfiskuar edhe mbi 1200 m3 dru të prera ilegalisht. Kontrollet të përbashkëta me rojet e pyjeve të komunave nëpër pyje, rrugë pyjore, tregje, depo dhe nëpër vende ku sharrohen drunj janë pjesë e përditshme e punës së inspektorëve tanë dhe së shpejti do ta finalizojmë edhe draftin e projektligjit të ri për pyje, i cili është në funksion të një mbrojtjeje më të mirë të pyjeve, ka thënë Behramaj, sipas të cilit, për mbrojtjen e pyjeve autoritetet komunale në periudhën janar-dhjetor të vitit 2011 kanë ngritur gjithsej 7 635 fletëparaqitje, prej të cilave 4 868 kanë qenë për kundërvajtje dhe 2 767 për vepra penale, të cilat përfshijnë dëme të përgjithshme të shkaktuara prej 22 447 08 m3, prej të cilave është arritur të konfiskohen vetëm 4 233 57 m3 masë drusore.
Nuk jemi aspak të kënaqur me shqyrtimin e këtyre lëndëve nga gjykatat, sepse ka shumë fletëparaqitje që janë ngritur para 3-4 vjetëve që ende nuk janë shqyrtuar dhe, përveç kësaj, edhe ato që i kanë shqyrtuar dhe i kanë nxjerrë aktvendimet, gjobat që kanë dhënë nuk janë aspak në funksion të parandalimit të prerjes ilegale të pyjeve, sepse janë shumë simbolike dhe shumë më shumë i stimulojnë prerësit ilegalë që të vazhdojnë me këtë zeje sesa që parandalojnë, ka vlerësuar ai. Sipas tij, është absurde që një transportues ilegal i masës drusore me 4 metër kub dru teknik të dënohet me 100 euro, përderisa vlera e tregut të asaj mase drusore është në mbi 600 euro.
Gjyqtarët mund të shqiptojnë dënime deri në 10 000 euro në bazë të Ligjit për Pyje. Ose e them këtë, sepse janë absurde edhe vendimet për recidivistë që të lëshohen në liri, për të cilët janë ngritur me dhjetëra fletëparaqitje, sepse kanë dëmtuar pyje me qindra m3, të cilët pastaj përsëri kapen në flagrancë duke prerë ilegalisht dhe fletëparaqitjet e tyre përsëri ua adresojmë gjykatave, është shprehur Behramaj.(Gazeta Epoka e Re)