Huawei synon rritjen e prodhimit të orizit në tokë të kripur
Pekin, 9 janar - Gjigandi i telekomunikacionit "Huawei" ka bashkëpunuar me "babain e orizit hibrid" të Kinës Yuan Longping në një projekt që synon rritjen e orizit në tokë të kripur duke përdorur monitorimin e teknologjisë së lartë.
Aktualisht në Kinë 100 milionë hektarë tokë është e papërshtatshme për kultivimin e drithërave, sepse është jashtëzakonisht e kripur.
Shkencëtari Yuan Longping, i cili njihet gjerësisht si personi i parë që ka krijuar varietetet e orizit hibrid, ka punuar për krijimin e një varieteti të ri që mund të rritet në këtë lloj toke me cilësi të dobët.
Ekipi i Yuan Longping-ut është duke punuar për të kultivuar oriz në rreth 667 mijë hektarë tokë të kripur. "Huawei" po e mbështet këtë përpjekje me ekosistemin e vet të Internetit të Gjërave.
Në një bashkëpunim që ka filluar në gusht, toka bujqësore është e pajisur me kamera dhe sensorë në sipërfaqe dhe nën të.
Informacioni i mbledhur për kushtet e tokës do të transmetohet në një qendër të të dhënave, ku do të vlerësohet nga pajisjet e inteligjencës artificiale së bashku me ekspertë. Informacionet që do të merren nga të dhënat, do të përdoren për të përmirësuar menaxhimin e tokave.
Kryetari i "Huawei"-t Hu Houkun tha se teknologjia e kompanisë mund të ndihmojë në krijimin e produkteve të reja të orizit dhe mund të përdoret gjithashtu për të përmirësuar tokën bujqësore ekzistuese në të gjithë Kinën.
Eksperimentet e mëparshme që kanë përdorur teknologjinë e lartë të monitorimit të fushës të "Huawei"-t kanë ulur përdorimin e ujit me 30 % dhe të plehrave me 40 %.