Haziri: Bujqësia potencial për punësim
Gjilan, 10 gusht - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari dhe bashkëpunëtor të tjerë, kanë vizituar plantacionin e prodhimeve të mollës dhe dardhës tek pronari Sali Haliti, në Fshatin Caparë, i cili me këtë rast ka punësuar tërë familjen, me planifikimin për zgjerim të mëtutjeshëm gjatë të ardhmes edhe me kultura të tjera.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se ky është shembulli më i mirë i punës që familja Haliti ka bërë me investimet në bujqësi, si degë e garantuar e të ardhurave për regjionin e Gjilanit.
Sot jam në vizitë në familjen Haliti, me arsyen e vetme që nga afër të shohim investimet që ka bërë kjo familje në mbjelljen dhe kultivimin e mollës dhe dardhës, që ka mundësuar angazhimin e gjithë anëtarëve të saj në këtë biznes bujqësor.
Fshati Caparë, por edhe Gjilani në përgjithësi ka tokë bujqësore, ka traditë në bujqësi por edhe potencial në të njëjtën kohë që të kultivoj produkte nga më të ndryshmet, duke nisur nga molla, dardha, e deri tek duhani që për vite me radhë është i dëshmuar si regjion. Unë e përgëzova familjen Haliti dhe shembullin e tyre shumë të mirë që duhet ta ndjekin edhe familje të tjera dhe bujq të tjerë poashtu, sepse kështu sigurohen të ardhura dhe punësim i drejtpërdrejt në të njëjtën kohë, tha kryetari Haziri gjatë vizitës në fshatin Caparë.
Nga ana e tij pronari Sali Haliti, ka bërë të ditur se investimi i tij në këtë plantacion të mbjellë me mollë dhe dardhë, është mese i domosdoshëm ngase sipas tij, nga këto të mbjella me rreth 3 hektarë po krijohen të ardhura dhe punësim i menjëhershëm i anëtarëve të kësaj familjeje.
Haliti ka pohuar se gjatë të ardhmes do të bëjë edhe investime të tjera dhe zgjerim gradual të sipërfaqeve të mjellura.