26 Dhjetor 2024

HardhFest shënon një sukses të paharruar, mbi 32 mijë të pranishëm

Rahovec, 7 shtator - Me hapjen e ekspozitës së artistëve, pjesëmarrës në Art Symposium, të dielën,  është përmbyllur edicioni i 15-të jubilar i Festës së Vjeljes së Rrushit HardhFest.

Këtë vit, numri i pjesëmarrësve në HardhFest arriti mbi 32 mijë, gjë që tregon se interesimi  për këtë festë, është duke u rritur.

Gjithashtu,  “Hardh Fest 2016” arriti të ndërkombëtarizohet, ku përveç performancave të artistëve ndërkombëtar, u pa edhe një numër i madh i turistëve nga vende të ndryshme të botës.

Gjatë tri ditëve festive, n’Konak dhe në qendër të Rahovecit, u mbajtën aktivitete të ndryshme tradicionale e artistike.

Hapja e festivalit filloi të premten me 2 shtator. Parakalimi i mekanizmit bujqësor, nga qendra e qytetit, deri tek Konaku, ishte aktiviteti i parë që i dha frymën e festivalit dhe qytetit të Rahovecit.

Ndërsa, me prerjen e Kalaveshit të rrushit, filloi ceremonia zyrtare, ku të pranishëm ishin Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Collaku,  i pari i komunës së Rahovecit Idriz Vehapi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi. Gjatë kësaj ceremonie u bë edhe shpallja e vreshtarëve dhe vertarëve më të mirë.

Interesim të madh kishin secili nga aktivitetet e mbajtura, si vizita në vreshta, që këtë vit është quajtur HardhTour, garat në shpejtësinë e vjeljes dhe shtrydhjes së rrushit, Karnevali në Qytetin e Rahovecit, Demonstrimi i pjekjes së rakisë etj.

Ndërsa, me koncertin e festës, me fillim nga ora 20:00 u përmbyll nata e parë e festës. Performanca e Sofie Kastrioti bëri hapjen e koncertit, duke vazhduar me bendin nga Suedia Loud n’ Proud, ku gjatë performancës së tyre, iu bashkuan edhe motoristët e SteelWings - Kosova, të cilët bënë një performancë të pa parë.

Publikun të ndezur e mbajtën bendi ikonë, Elita 5 të cilët ishin edhe protagonistë të natës së parë. E deri në orët e hershme të mëngjesit, publikun e argëtuan DJ  NEK, Borce Panov dhe NZT.

Dita e dytë, (3 shtator) filloi me Promo Skenat në Qytet, ku DJ të ndryshëm po argëtonin publikun dhe vazhdoi me shfaqjen teatrale - “ Qifti i Shqyer” nga Trupa Pasion, nga Tirana, si dhe Ora Poetike koreografi, me poezi nga Xhevdet Bajraj si dhe mysafire ishte poetja Arlinda Causholli nga Tirana.

Në anën tjetër, n’Konak po mbaheshin Lojrat Tradicionale, demonstrimi i pjekjes së rakisë po vazhdonte, si dhe Artistë nga vende të ndryshme të botës, vazhdonin të pikturonin në Art Symposium, pranë HardhCamp-it.

E n ‘Konak po mblidheshin publiku nga anë e mbanë Kosova dhe turistë nga vende të ndryshme të botës, për t`u argëtuar me koncertin e natës së dytë, ku atmosferën e filloi bendi, Magnituda dhe pas tyre bendi Zhaba.

Me të hyrë në skenë vokalisti i grupit Troja, Bujar Berisha së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit, atmosfera arriti kulmin, derisa i tërë publiku po kënaqej për kokërr t\'qefit . Pas grupit Troja, atmosferën e mbanin Dj Gamblemania, DJ Alex Belluscio si dhe DJ NWE.

Edhe në ditën e tretë - të dielën ( 4 shtator ) atmosfera si n’Konak ashtu edhe në qytetin e Rahovecit, nuk kishte të ndalur deri në orët e vona, kur edhe u përmbyll me hapjen e ekspozitës së artistëve të Art Symposium.

Për këtë edicion që vuri themelet e ndërkombëtarizimit të festës së vjeljes së rrushit - HardhFest, falënderon të gjithë ata që mundësuan një organizim të tillë.

HardhFest falënderon Qytetarët e Rahovecit, për bujarinë dhe mikpritjen e treguar për te gjithë vizitorët dhe turistët, për të cilët i bënë konak gjatë tri ditëve dhe dy netëve, Vreshtarët dhe Vertarët e Rahovecit, pa të cilët një organizim i tillë s`do të kishte vlerë dhe gjithë artistët që morën pjesë në festival.

Sponsorët e “Hardhfestit” të cilët mundësuan që kjo festë të kishte nivelin e duhur e gjithashtu edhe Partnerin e festivalit \"Stone Castle \". Një përkrahje të madhe dhanë edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Komuna e Rahovecit, nën patronatin e të cilëve organizohet edhe Festa e Vjeljes së Rrushit.

Të palodhshëm u treguan edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët HardhFest u është shumë mirënjohës dhe falënderues për kontributin e tyre.

Festa e vjeljes së rrushit  Hardhfest ka dy vjet që është ri brenduar me format të ri  dhe që po mbahet në Rahovec, duke arritur nivelin e organizimeve më të rëndësishme në Kosovë.

Me ri brendimin e festës së vjeljes së rrushit, duke u quajtur HardhFest dhe me sloganin “Për Kokërr t’ Qefit”,  me rritjen e aktiviteteve, festivali arriti të fuqizohet dhe të ndërkombëtarizohet, kështu duke sjellë këtë vit mbi 32 mijë të pranishëm nga Kosova dhe vendet e ndryshme të botës, në festë dhe Rahovec.

Ndërsa, ekipi i HardhFest tashmë ka nisur përgatitjet për edicionin HardhFest 2017, i cili do të jetë me përmasa edhe më të mëdha se sa ky edicion, gjithnjë me përkrahjen e partnerëve tanë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)