Haradinaj: Bujqësia - burim i zhvillimit ekonomik në Kosovë
Suharekë, 3 maj - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi serrën modern të permimeve në fshatin Nëpërbisht të Suharekës, në kuadër të shpalosjes së platformës Drejtim i Ri, të AAK-së.
Kryetari Haradinaj u prit nga familja Kryeziu e Therandës, që posedon këtë serrë, me të cilët bashkëbisedoi dhe u informua nga afër për mbarëvajtjen e punëve në serrë dhe mundësitë e mbështetjes dhe zhvillimit të mëtejmë të kësaj veprimtari.
Është përkushtimi i vazhdueshëm i AAK-së që ti mbështesim këto veprimtari dhe bujqësinë në përgjithësi, ka thënë kryetari Haradinaj.
Kosova ka mundësi të mëdha të zhvillimit në sektorin bujqësor. Kushtet e favorshme klimatike, tokësore, karakteristikat e mira natyrore dhe burimet ujore mundësojnë zhvillim të bujqësisë, agrobiznesit dhe industrisë së përpunimit të ushqimit. Puna dhe angazhimi ynë në platformën Drejtim i Ri, do të ndikojë në rritjen e produktivitetit e të cilësisë së produkteve bujqësore dhe do ti bëjnë fermerët tanë konkurrentë në tregun rajonal dhe më gjerë. Ky është përkushtimi ynë i vazhdueshëm, ka thënë kryetari Haradinaj.