Hapet qendra e re grumbulluese për pemë dhe perime
Prishtinë, 27 korrik - Kultivuesit e pemëve dhe perimeve tashmë kanë në dispozicion edhe një qendër të re grumbulluese në komunën e Prizrenit. Kompania Lirimi Commerce, me përkrahjen e Qeverisë së Zvicrës dhe Danimarkës, përmes programit
Promovimi i Hortikulturës në Kosovë, të cilin është duke e implementuar Helvetas Swiss Intercooperation, ka hapur sot qendrën e re grumbulluese për pemë dhe perime me kapacitete ruajtëse në mbi 100 ton.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, me rastin e hapjes së kësaj pike grumbulluese, tha se këto qendra përveç që ju mundësojnë fermerëve ruajtjen e prodhimeve të tyre edhe në periudha jashtë sezonës, ua mundësojnë atyre edhe lidhjen me zinxhirin përpunues, e cila në të kaluarën ka pasur shumë vështirësi.
Kjo pikë e re grumbulluese është një mundësi e re për fermerët e kësaj komune, por edhe të komunave tjera, që të bashkëpunojnë me kompaninë përfituese. Besoj se projektet e kësaj natyre, të cilat janë duke u realizuar gjithandej Kosovës, po krijojnë mundësi të reja në relacionin prodhues-përpunues, tha ministri Stavileci, duke shtuar se nga viti i ardhshëm, Ministria e Bujqësisë do tju ofroj grante investive edhe kultivuesve të perimeve në fushë të hapur.
Kjo përkrahje, sipas ministrit Stavileci, nuk është bërë deri më tani, për shkak që fokusi i deritashëm i ministrisë ka qenë në prodhimtarinë e perimeve në fushë të mbyllur, për tju krijuar mundësi fermerëve që të dalin më herët në treg me perimet e tyre. Përfitues të granteve dhe subvencioneve të ministrisë në vlerë prej 1.5 milionë euro, janë gjithsej 1295 fermerë nga komuna e Prizrenit, deklaroi ministri Stavileci.
Përfaqësuesi i zyrës zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, Nils Roseman, investimin dhe ngritjen e kësaj qendre grumbulluese e vlerësoi si arritje të mirë, e cila krijon më shumë vende pune dhe mundëson rritje më të shpejt ekonomike. Ska dyshim që kjo qendër grumbulluese do të luaj rol kyç në zhvillimin e sektorit privat, me theks të veçantë në industrinë ushqimore të komunës së Prizrenit, regjionit, por dhe më gjerë, tha Roseman.
Ndërsa, përfaqësuesi i komunës së Prizrenit, Njazi Kryeziu, theksoi se kjo qendër do të krijoj edhe alternativa të tjera për prodhuesit dhe fermerët e kësaj komune.
Vlera e projektit për qendrën e re grumbulluese të kompanisë Lirimi Commerce arrin në 140 mijë euro, ndërsa ndërtimi i saj është mbështetur me 65 mijë euro nga Qeveria e Zvicrës dhe Danimarkës.