Hapet pavijoni i Kosovës në Expo 2016 Antalia
Antalia, 24 prill - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka hapur dje pavijonin e Kosovës në Ekspozitën Ndërkombëtare të Hortikulturës, Expo 2016 Antalia.
Në këtë ekspozitë, që do të qëndrojë e hapur për gjashtë muaj po marrin pjesë mbi 50 shtete nga e mbarë bota.
Ministri Krasniqi ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të kësaj ekspozitë, ku ishin të pranishëm krerët më të lartë të shtetit të Turqisë, presidenti Recep Tayyip Erdogan, kryeministri Ahmet Davutoglu, ministra të qeverisë së Turqisë, si dhe të vendeve tjera pjesëmarrëse në ekspozitë. Kosova po merr pjesë për herë të parë në këtë ekspozitë, disa javë pas anëtarësimit në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave.
Ministri Krasniqi në hapjen e pavijonit të Kosovës ka takuar ekipin që do të promovojë Kosovën në këtë ekspozitë, që pritet të ketë miliona vizitorë.
Ai i ka falënderuar ata për punën e bërë në prezantimin e Kosovës dhe e ka vlerësuar pjesëmarrjen e Kosovës si diçka të rëndësishme.
Ne kemi rritur investimet në bujqësi dhe shumë fusha. Kemi nevojë që në forma të ndryshme dhe kreative, sikur kjo ta promovojmë vendin, që të kemi më shumë turistë, më shumë investitorë, tha ministri Krasniqi.
Po ashtu ministri Krasniqi ka takuar edhe sekretarin gjeneral të Expo 2016, ambasadorin Erdogan Kok.
Duke e falënderuar për përkrahjen që Turqia i ka dhënë Kosovës për këtë prezantim, por edhe në rastet e tjera, ministri tha se do të ketë edhe më shumë punë për promovimin e Kosovës në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare që zhvillohen në Turqi.
Nga ana e tij, ambasadori Kok ritheksoi përkrahjen për Kosovën në promovimin e vlerave të mirëfillta dhe shtoi se është zhvillim më rëndësi që Kosova po merr pjesë në këtë ekspozitë për herë të parë, që prej se ka nisur të organizohet nga viti 2008.