Hapet panairi i gjedhit Kosova 2010
Gjakovë, 12 qershor - Si çdo vit tjetër, edhe sivjet në Korenicë të Gjakovës është mbajtur Panairi i gjedhit Kosova 2010, ku ekspozuan gjedhet e tyre mbi 100 fermerë.
Para femerëve dhe qytetarëve të shumtë, një fjalë rasti e ka mbajtur Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ai ka shprehur kënaqësi të veçantë duke ju uruar mirëseardhje në panairin tradicional të gjedhit Kosova 2010 të gjithë të pranishmëve dhe organizatorëve.
Kjo ngjarje, tha ministri Stavileci, mundëson që sot, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, shoqatat e fermerëve, fermerët, ekspertët dhe dashamirë të kësaj fushe të promovojnë mbarështimin e gjedhit në Kosovë, si dhe të diskutojnë mbi përvojat dhe sprovat me të cilat po ballafaqohet sektori i prodhimtarisë së blegtorisë.
Në këto tri vite, ka nënvizuar ministri Blerand Stavileci, Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur në mënyrë të vazhdueshme buxhetin për bujqësinë. Krahas rritjes së buxhetit, Ministria ka punuar në zhvillimin institucional për krijimin e kapaciteteve dhe të infrastrukturës për menaxhimin e fondeve që shkojnë në përkrahje të sektorëve me potencial të shtuar për mbulimin e tregut të vendit me produkte bujqësore.
Sektori i Blegtorisë është prioritet i MBPZHR për shkak të rëndësisë ekonomike dhe efekteve pozitive që ndikojnë në zhvillimin e sektorëve të tjerë agrokulturorë dhe agrobiznesorë (prodhimtarisë lavërtare, prodhimtarisë bimore, prodhimtarisë së mishit, industrisë përpunuese etj.) ka qenë konstatimi në vazhdim i ministrit Stavileci, me çrast ka shprehur bindjen se duke pasur parasysh nevojën e rimëkëmbjes dhe zhvillimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, MBPZhR, është duke nxitur investimet në sektorin e prodhimtarisë blegtorale dhe bujqësore përmes disenjimit të politikave të qëndrueshme bujqësore.
Kështu, ka nënvizuar tutje në fjalën e tij ministri Stavileci, Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim të ofrimit të mbështetjes së qëndrueshme financiare dhe ekonomike fermave gjysmë-komerciale/komerciale dhe grupeve të fermerëve të vegjël për vitin 2010 ka ndarë rreth 5 mil. grante dhe subvencione në mbështetje të projekteve që kanë për synim:
- Stimulimin e prodhimtarisë së qumështit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit,
- Përmirësimin e standardit dhe kushteve të jetesës dhe të punës në zonat rurale,
- Zhvillimin dhe ristrukturimin e fermave, duke synuar shtimin e numrit të fermave komerciale dhe aplikimin e teknologjive moderne dhe rritjen e sasisë së prodhuar, me qëllim që të arrihet zvogëlimi i importit,
- Uljen e kostos së prodhimeve të qumështit, ngritjen e cilësisë së qumështit, rritjen e shkallës së konkurrencës, uljen e çmimit të prodhimeve të qumështit.
- Përmirësimin e strukturës së pronave bujqësore.
Si rezultat i këtyrë synimeve dhe i përkushtimit për ti realizuar ato, ne, këtë vit po mbështesim fuqishëm dhe si asnjëherë deri më tash, sektorin e gjedhëtarisë dhe sektorin e kafshëve të imta, konkretisht:
- Mbështetja e fermerëve përmes ofrimit të pagesave direkte-subvencione për sektorin e lopëve qumështore dhe mbarështimin e mështjerrave (vlera e projektit 1.2 mil ),
- Mbështetja e fermerëve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) (vlera e projektit 1.2 mil ). Këto projekte tashmë janë në fazën e finalizimit.
- Mbështetja ekonomive bujqësore përmes ofrimit të granteve investuese për prodhimin e qumështit (vlera e projektit 400.000 ).
Për vitin 2010, MBPZHR po ashtu ka hartuar programin e granteve investuese dhe subvencioneve në mbështetje të projekteve investuese të fermave dhe ekonomive bujqësore në sektorin e drithërave, perimtarisë, pemëtarisë dhe vreshtarisë.
Me qëllim të rritjes së prodhimtarisë bujqësore, MBPZHR po investon edhe në riparimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes, në menaxhimin e burimeve të ujit për bujqësinë, në sistemet e përgjithshme të ujitjes (niveli primar dhe sekondar) dhe në sistemin e ujitjes në nivelin e fermës.
Për këto projekte Ministria ka ndarë 2.1 mil euro.
Këto janë veprimet konkrete që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë për krijimin vendeve të reja të punës, për ngritjen e të ardhurave për fermerë dhe banorët ruralë, e që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit dhe kushteve të jetesës dhe punës në zonat rurale.
Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të mbetet partner serioz dhe shumë i interesuar në bashkëpunimin e mëtejshëm me të gjithë fermerët, shoqatat e fermerëve, organizatat dhe donatorët që mbështesin zhvillimin e sektorit të blegtorisë dhe të bujqësisë në Kosovë.
Edhe një herë ju falënderoj të gjithë juve për pjesëmarrjen në këtë panair, zyrtarët e MBPZHR dhe KK të Gjakovës për angazhimin dhe, në veçanti, fermerët për kontributin e dhënë në organizimin e kësaj ngjarjeje tashmë tradicionale dhe shumë të dashur për ne të gjithë, ka përfunduar në fjalën hyrësen që e mbajti në këtë panair z. Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në fund, nga gjithsej 100 fermerë sa ekpozuan gjedhet e tyre në këtë panair, çmimin e parë e mori Dukagjin Deda nga Peja për racen e gjedhit hollshtajn. Janë ndarë edhe shpërblime të tjera në pesë kategori.