22 Dhjetor 2024

Hapet panairi i bletarisë "Kosova 2012"

Prishtinë, 20 shtator - Subvencionimi për prodhimtarinë e mjaltit, do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme. Përveç kësaj përkrahje, për të përmirësuar cilësinë e mjaltit në vendin tonë, bletarët do të ndihmohen edhe përmes granteve investive.

Me rastin e hapjes së panairit tradicional të bletarisë “Kosova 2012”, i cili po mbahet në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se subvencionimi i kësaj prodhimtarie ka qenë një hap i rëndësishëm, sepse për herë të parë ju është ofruar përkrahje e drejtpërdrejtë financiare edhe bletarëve.
 
Ai tha se në këtë sektor ka ende probleme, por që me punë dhe angazhime po eliminohen dalëngadalë.

“Ne kemi një prodhimtari të konsoliduar të mjaltës, megjithëse jemi të vetëdijshëm për problemet që ekzistojnë, të cilat ju me punën tuaj dhe ne me angazhimin tonë, po mundohemi që t’i eliminojmë. Në programin tonë për vitin e ardhshëm, do të ketë prapë mbështetje financiare për bletarët dhe përveç kësaj forme të përkrahjes, po i shqyrtojmë mundësitë për t’ju ofruar edhe grante investive për këtë prodhimtari”, tha ministri Stavileci.

Sipas tij, panairet e tilla po ndikojnë në ngritjen e imazhit të bletarëve dhe në inkurajimin e tyre për shtimin e prodhimtarisë së mjaltes dhe produkteve tjera bletare.

Ndërsa, Haxhi Demukaj, kryetar i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, tha se subvencionimi i bletarëve, që sivjet arrin vlerën e mbi 360 mijë euro, ka ndikuar në stimulimin e bletarëve për të shtuar prodhimtarinë, por sipas tij, temperaturat e larta të verës së sivjetme, kanë bërë që mos të ketë mjaltë në sasinë e dëshiruar.

“Regjioni i Dukagjinit afër Bjeshkëve të Rugovës, Deçanit, Sharrit dhe Kopaonikut ishin mjaft mirë me prodhimtari dhe mesatarja në nivel vendi sillet në rreth 18 kilogramë për koshere bletësh, por ne nuk mund të jemi shumë të kënaqur, sepse llogarisim që prodhimtaria mund të jetë edhe më e madhe”, tha Demukaj.

Nga subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë, sivjet kanë përfituar gjithsej 769 bletarë, me gjithsej 35.219 koshere bletë, ndërsa vlerësohet se në Kosovë janë rreth 6 mijë bletërritës, me rreth 75 mijë koshere bletë.

Ndryshe, në panairin e bletarisë “Kosova 2012”, i cili do të jetë i hapur për tre ditë radhazi, prodhimet e mjaltës po i promovojnë mbi 50 bletarë nga Kosova dhe rajoni.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)