23 Dhjetor 2024

Gurëthyesit një nga shkatërruesit më të mëdhenjë të ambientit

Prizren, 16 dhjetor - Është mbajtur tryeza e diskutimit ku është bërë publikimi i të gjeturave të raportit “Analiza mjedisore e rajonit të Prizrenit”, si dhe janë trajtuar problematikat aktuale mjedisore dhe mbulueshmëria mediatike e këtyre çështjeve.

Në këtë debat folës ishin Faruk Bojaxhi, profesor në Fakuletin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Universitetin e Prizrenit, Fisnik Minci, gazetar në Kohën Ditore dhe Nora Simitçiu, eksperte e mjedisit nga EC Ma Ndryshe.

Fillimisht përfaqësuesja e EC Ma Ndryshe ka prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e analizës.

Synimi i kësaj analize është gjenerimi i burimeve të informacionit për parametrat mjedisor të cilët do të shërbejnë si udhëzues për politikat lokale mjedisore të së ardhmes.

Kjo analizë vlerëson se është arritur progres sa i përket draftimit të strategjive në këtë fushëveprim mirëpo zbatueshmëria e tyre lë për të dëshiruar.

Para të pranishmëve Simitçiu prezantoi Planet Lokale të Veprimit në Mjedis dhe programet e tjera relevante për të cilat bëri thirrje që komunat gjatë hartimit të përfshijnë komunitetin, OJQ-të, organizatat profesionale dhe komunitetin e biznesit.

Poashtu në kuadër të këtij prezantimi u elaboruan edhe forcat shtytëse dhe presionet në mjedis, fushëveprimet me interes në mbrojtje të mjedisit dhe u potencuan problemet që po shkaktojnë shkatërrimin e biodiversitetit dhe gjendjen aktuale të ambientit në Komunën e Prizrenit. 

Në anën tjetër Faruk Bojaxhi prezantoi nga këndi profesional problematikat e lartëcekura. Ai tregoi se  Kosova futet në kategorinë e vendeve ekologjike meqenëse ka një numër të madh të pyjeve mirëpo problemi qëndron në faktin se a po mbrohen dhe si po trajtohen aktualisht këto hapësira nga institucionet dhe qytetarët.

Gurëthyesit ishin çështja tjetër që u vu theks i madh si një nga shkatërruesit më të mëdhenjë të ambientit dhe u kërkua që të ketë një shqyrtim të duhur institucional në dhënien e lejeve për operim.

Gjuetia e cila po ndikon në humbjen e specieve, ndërtimi i hidrocentraleve, kthimi i tokave bujqësore në toka ndërtimore etj, ishin problemet tjera aktuale mjedisore për të cilat u kërkua vëmendje dhe veprime urgjente.

Fisnik Minci, korrespodent nga Koha Ditore u ndal tek mënyra se si trajtohet mjedisi nga media. Duke qenë se çështjet mjedisore jane çështje të interesit publik ato kanë vend në mediume të ndryshme.

Sipas Mincit në të kaluarën këto çështje nuk kanë pasur prioritet në media mirëpo viteve të fundit ky trend po ndryshon dhe ka rritje të interesimit mediatik. 

U cek se nganjëherë mungesa e informacionit të mjaftueshëm, të besueshëm dhe në kohë të duhur e vështirëson raportimin për këto problem dhe shpesh mungon transparenca e institucioneve përgjegjëse e që rrjedhimisht bën që të dhënat të mos përcillen tek gazetarët dhe në këtë mënyrë nuk përcillen as te qytetarët.

Pas prezantimeve pati diskutim të hapur mes të pranishmëve ku u kritikua pasiviteti i institucioneve përkatëse dhe u kërkua që të dalurat e këtij debati të përcillen tek ta për të bërë ndryshime.

Poashtu u bë thirrje që të ketë vëmendje dhe përkushtim më të madh në drejtim të temës së mbrojtjes së mjedisit.

Aktiviteti u mbajt në kuadër të projektit "Monitoruesi Mjedisor" i cili përkrahet financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)