Gruri i Serbisë me përqendrim të rritur të metaleve
Shkup, 28 shkurt - Agjencia për ushqim dhe veterinë e Maqedonisë ka bërë të ditur se ka gjetur përqendrim të rritur të metaleve të rënda në grurin me origjinë nga Serbia.
Në njoftimin e kësaj agjencie thuhet se nga kontrolli kufitar i ushqimit të importuar, në ngarkesa mbi 330 tonelata grurë është konstatuar sasia e metaleve të rënda mbi normat e lejuara.
Si njoftoi kjo agjenci, asnjë kilogram nga kjo sasi e grurit nuk është hedhur në qarkullim në Maqedoni, sepse analizat janë bërë në pikëkalimin kufitar me rastin e arritjes së kamionëve me grurë, transmeton Blic.
E tërë sasia e grurit të dyshimtë gjendet nën mbikëqyrje të agjencisë, kurse vënia në qarkullim është ndaluar. Importuesit e kësaj sasie të grurit kanë kërkuar një superanalizë, prandaj mostrat janë dërguar për analizë laboratorike, thuhet në komunikatë.