23 Dhjetor 2024

Green Art Center shënon Ditën e Tokës me aktivitete shumta

Prishtinë, 22 prill - Sot po shënohet 22 Prilli, Dita e Tokës. Që prej mëngjesit në tërë Kosovën kanë nisur aktivitetet e pastrimit për një tokë të pastër.

'Green Art Center' iu ka bashkangjitur këtyre aktiviteteve me qëllim të krijimit të një mjedisi të pastër.

Njëra nga deponitë e para që u pastrua sot ishte ajo te “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë.

E në kuadër të Javës së Tokës që po organizohet në Prishtinë është planifikuar që të mbillen mbi 1 mijë drunj në kryeqytet.

Në kuadër të aktiviteteve të shumta për Ditën e Tokës, GAC ka ndërmarrë aktivitete në 7 komuna të Kosovës (Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë, Gjakovë dhe Prizren).

Në kuadër të aktiviteteve sot ka qenë edhe gara “Arti Ripërdorimit”, organizim ky nga Komuna e Prishtinës, OJQ - Green Art Center dhe nxënësit e shkollave publike në komunën e Prishtinës.

Në kuadër të këtij aktiviteti janë përzgjedhur 3 punimet më të mira të realizuara me anë të “Reuse Art”.

E përmes vlerës monetare të shpërblimeve, shkollat do të mbështeten në rregullimin e oborreve të tyre.
 
Po sot tek lumi” Tërrstena” në Vushtrri, është zhvilluar aksion pastrimi nga nxënësit e Klubeve të Gjelbra dhe përfaqësues nga Green Art Center-Prishtina.

Kësisoj, në komunën e Vushtrrisë, Klubet e Gjelbra kanë realizuar aktivitete të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit për një planet të pastër, të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.

Organizata Green Art Center në bashkë-organizim me Ministrinë e Mjedisit, MASHT-in, komunën e Prishtinës dhe organizata të tjera të shoqërinë civile edhe në ditët në vazhdim, do t'i vazhdoj aktivitetet në kuadër të Ditës së Tokës.

Gjatë këtyre ditëve do të hapet një ekspozitë me punime nga materiale të riciklueshme nga shkollat pjesëmarrëse, që promovojnë funksionalizimin e konceptit 3R. Do të bëhet promovimi i ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në burim, pastaj do të bëhet promovimi i procesit të Kompostimit dhe parada e nxënësve me veshje të riciklueshme dhe thënie mjedisore.

Po ashtu nesër tek Liqeni artificial i Mitrovicës do të bëhet një aksion pastrimi dhe mbjellja e fidanëve nga nxënësit e Klubit të Gjelbër të shkollës “Migjeni” dhe shkollës speciale “Nëna Terezë.

Gjatë këtyre ditëve do të ketë edhe aktivitete të tjera, si mbjellja e fidanëve dhe luleve sezonale në lokacione të ndryshme në komunat e lartpërmendura, rregullimi i hapësirave të gjelbra në oborret e shkollave me Klubet e Gjelbra, si dhe përkrahje të nismave të ndryshme qytetare në lokacione të ndryshme të vendit.

Green Art Center fton të gjithëve që të bëheni pjesë e këtyre aktiviteteve dhe të jepni kontributin tuaj në mbrojtjen e mjedisit.

Edhe sot GAC-i falënderon të gjithë qytetarët që po shprehin gatishmëri për tu bërë pjesë e aktiviteteve të pastrimit, sepse Çdo ditë është dita e Tokës!

Andaj, ftojmë të gjithë qytetarët që edhe më tutje të kontribuojnë sadopak për planetin tonë dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme që po ndërmerren çdo ditë për një vend pa mbeturina e resurse të mbrojtura natyrore!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)