Gratë mund të kontribuojnë në zhvillimin e pyjeve
Prishtinë, 24 tetor - Pylltaria është njëra ndër fushat, ku edhe gratë mund të sigurojnë vende pune. Krahas kësaj, gratë janë ato që mund të kontribuojnë në shumë mënyra në këtë sektor, si në mbrojtjen e pyjeve ashtu edhe në ruajtjen e tyre.
Duke parë rëndësinë që e ka roli i gruas në këtë sektor, institucionet kosovare kanë premtuar se në të ardhmen do të angazhohen edhe më shumë për përfshirjen e gruas në zhvillimin e sektorit pyjor.
Kështu është thënë sot në konferencën me temën Roli i gruas në sektorin e pylltarisë në Kosovë, e cila është organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO).
Drejtoresha e Departamentit të Politikave Zhvillimore, Shqipe Dema, ka thënë se pylltaria dhe përfshirja e gruas në këtë sektor, do të gjejnë mbështetje edhe në kuadër të programit për bujqësi dhe zhvillim rural 2014-2020, i cili sipas saj do të jetë i gatshëm qysh në fillim të vitit të ardhshëm.
Në periudhën e ardhshme do të kemi mundësi edhe buxhetore që të fokusohemi edhe më shumë në sektorin e pylltarisë, duke e mbështetur këtë sektor përmes projekteve të ndryshme zhvillimore.\"
\"Madje përmes shërbimeve këshillimore, përveç zhvillimit të mëtutjeshëm të pylltarisë, ne synojmë që të përfshijmë edhe gruan në këtë sektor, gjë që do të ketë një ndikim shumë të rëndësishëm në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, ka thënë drejtoresha Dema.
Anne Meskanen, e ngarkuar me punë në Ambasadën e Finlandës në Kosovë, ka treguar edhe për iniciativat që i kanë pasur së bashku me Qeverinë e Kosovës, për përkrahjen e gruas në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Pylltaria është njëra ndër fushat, ku gratë si në Kosovë ashtu edhe në vendet e tjera të botës nuk kanë qenë shumë të përfshira. Por, ne po mundohemi që të përfshijmë sa më shumë gruan në këtë sektor, sepse pylltaria ofron mundësi edhe për punësim, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, Norbert Winkler-Rathony, nga Zyra Rajonale e FAO-s në Budapest, tha se rrjeti i kësaj organizate në Kosovë, ka në fokus të veçantë fuqizimin e rolit të gruas në sektorin e pylltarisë dhe përfshirjen e saj në menaxhimin e pyjeve.
Ndryshe, objektivat kryesore të kësaj konference njëditore janë të kuptuarit e gjendjes në sektorin e pylltarisë në Kosovë, promovimi i rolit të gruas në pylltari përmes prezantimeve të përfitimeve mjedisore, si dhe hartimi i rekomandimeve për veprimet drejt arritjes së barazisë gjinore në sektorin e pylltarisë në Kosovë.