Grantet e Ministrisë së Bujqësisë po gjenerojnë vende të reja pune
Prishtinë, 5 korrik - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes investimeve me grante investive po arrin që të rrisë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese në agrobizneset vendore, si dhe po krijon vende të reja të punës.
Kështu është shprehur Sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të granteve investive me disa përfitues për sektorin e pemëve të imta.
Me këtë rast, ai ka treguar se përmes investimeve të ministrisë agrobizneset vendore po arrijnë që të zgjerojnë veprimtaritë e tyre bujqësore e bashkë me këtë po sjellin edhe prodhime cilësore në tregun vendor, si dhe po gjenerojnë vende të reja të punës.
“Ministria e Bujqësisë nga viti në vit ka rritur investimet në zhvillimin e veprimtarive bujqësore në agrobizneset vendore, duke ndikuar kështu në rritjen e prodhimtarisë dhe cilësisë së prodhimeve bujqësore. Edhe këtë vit ashtu si edhe viteve të kaluara do të vazhdojmë me këto investime, me qëllim që sektorin e bujqësisë ta bëjmë sa më konkurrues në tregun e huaj”, ka thënë sekretari Halimi.
Po ashtu, ai ka vlerësuar bashkëpunimin e madh me USAID-in ndër vite në projekte të ndryshme bujqësore.
Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në USAID, Brian Martalus, tha se grantet investive për sektorin e bujqësisë kanë ndikuar që ky sektor të zhvillohet dhe avancohet e bashkë me këtë kjo mbështetje ka rezultuar në qëndrueshmërinë e këtij sektori.
Ai ka thënë se bashkëpunimi me MBPZHR-në në projektet bujqësore, po sjell rezultate mjaft të mira në avancimin e mëtejmë të sektorit në gjithë vendin.
Ndryshe, sot janë nënshkruar grantet investive me agrobizneset “Laberion”, Joni-Sh dhe “Manda”, të cilat agrobiznese janë përfituese të granteve inevstive për sektorin e pemëve të imta në kuadër të projektit të MBPZHR-së dhe Misionit të USAID-it, të nënshkruar vitin e kaluar, ku është krijuar një program i veçantë për mbështetjen e zinxhirit të vlerave të frutave të imëta dhe bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë.