Gjilani vazhdon aksionin "Ta pastrojmë Kosovën"
Prishtinë, 22 prill - Komunën e Gjilanit, 22 prilli Dita e Tokës, e ka gjetur të angazhuar në aksionin “Ta pastrojmë Kosoven”, ku sot lokacioni i pastrimit ishte fshati Shillovë e banuar nga komuniteti serb.
Aksionit të Komunës së Gjilanit dhe shoqërisë civile i ka ardhur asistenca e fuqishme edhe nga Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, organizata “Let’s do it”, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare dhe banorët e fshatit.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili ka marrë pjesë në këtë aktivitet ka thënë se ambienti është i të gjithëve e duhet të mbrohet nga të gjithë për të mirën e shëndetit dhe të ardhmen e fëmijëve.
“Jemi në fshatin Shillovë dhe po punojmë të gjithë së bashku që pasi të largojmë këto mbeturina, komuniteti të jetë ai i cili do të ruaj dhe mirëmbaj ambientin në ta ardhmen. Herën tjetër kur të vizitojmë këtë fshat së bashku me komunitetin do të bëjmë gjelbrimin dhe mbjelljen e drunjëve për të krijuar një ambient më të mirë. Ambienti është shëndet, prandaj së bashku duhet të punojmë për një ambient më të mirë, për një shëndet më kualitativ, për në një ajër të pastër dhe për hapësirë ku fëmijët do të luajnë lirisht pa qenë të rrezikuar nga mbeturinat”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Kurse nga ana e tij ministri i MMPH, Fatmir Matoshi, ka thënë se janë duke punuar bashkërisht që çdo cep i Kosovës të përfshihet në aksionin e pastrimit të ambientit, për një jetë më të shëndoshë dhe një ajër të pastër.
“Së bashku me institucionet komunale dhe pjesëmarrësit tjerë kemi bërë pastrimin e rrugës nëpër fshatin Shillovë dhe tani jemi në një deponi ilegale që me makinerinë e kontraktuar do të bëhet eliminimi i saj, për të vazhduar pastaj edhe me lokacionet tjera. Për të gjithë ata që bëjnë ndotjen e mjedisit do të bëhet shqiptimi i gjobave mandatore, sepse qytetarët nuk meritojnë papastërtitë e shkaktuara nga persona të pandërgjegjëshëm”, ka thënë ministri Matoshi, duke paralajmëruar vazhdimin e aksionit në gjithë territorin e Kosovës.
Luan Hasanaj, nga organizata “Let’s do it Kosova” dhe përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara, kanë thënë se papastërtitë dhe mbeturinat nuk duhet të jenë pjesë e ambientit tonë.
Ata kanë thënë se e ardhmja duhet të jetë e fokusuar në gjelbrim dhe rekreacion në këtë ambient, duke qenë të gjithë të përkushtuar për mbrojtjen e ambientit dhe gjelbrimin e tij.