25 Dhjetor 2024

Gjilani shpërndan sistemin e ujitjes për 50 hekrarë me vishnje In

Gjilan, 8 gusht - “Sistemi i ujitjes që po ndahet sot i dedikohet 50 hektarëve sipërfaqe të mbjella këtë vit me kulturën e vishnjes. Kjo fazë është përmbyllja e këtij projekti i cili është mbështetur nga program “Agro” i organizatës mike të Gjilanit, USAID dhe partneritetit me kompaninë “Calabria” e cila ka kontraktuar grumbullimin e tërësishëm të rendimenteve të vishnjes për 15 vitet e ardhshme”.

Kështu ka thënë drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ramiz Ramadani, i cili ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për përkrahjen e fuqishme të sektorit të bujqësisë dhe USAID-in e ndërmarrjen “CALABRIA” si donator, respektivisht si partner për ngritjen dhe qëndrueshmërinë e këtij projekti.

Drejtori Ramadani më tej ka pohuar se ky donacion për bujqit nënkupton zhvillimin e pemishteve dhe zgjerimin e tyre.

“Deri më tani në Gjilan kishim të kultivuara mbi 300 hektarë me sistem intenziv dhe gjysmë intenziv të ujitjes, ndërsa këtë vit kësaj hapësire ia kemi bashkangjitur edhe 50 hektar të tjera me kulturën e vishnjes. Ne jemi duke punuar me partnerin ShPK “CALABRIA”, por edhe përmes përpunuesve të tjerë, që të rregullojmë tregun, të ndikojmë në ngritjen e levërdisë për fermerët, me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve. Vlera e projektit të sotëm është 17 mijë e 500 euro”, ka thënë drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani, i cili ka potencuar gatishmërinë për shtimin e sipërfaqeve me vishnje në kuadër të planifikimit afagjatë deri në një mijë hektarë brenda 4-5 viteve.

Ndërsa nga ana e tij në emër të programit “Agro” të USAID-it ka folur Maxhun Shehu, i cili përpos urimit për fermerët, ka kërkuar instalimin sa më të shpejtë të këtij sistemi dhe futjen në përdorim të tij. Gjithashtu Shehu ka bërë të ditur se USAID do të jetë mbështetës i fermerëve edhe gjatë të ardhmes në programe dhe projekte të ndryshme.

E nga kompania “CALABRIA”, ka folur Xhelal Selimi, i cili ka thënë se bashkëpunimi me fermerët gjatë të ardhmes do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithnjë me qëllim të zhvillimit dhe tejkalimit të të gjitha problemeve.

Albert Gjyrishevci, fermer nga fshati Përlepnicë, pohoi se përpos blegtorisë dhe bujqësisë me të cilën merret prej vitesh, një kujdes të veçantë është duke i kushtuar kultivimit të kulturës së vishnjes, sepse siç ka thënë ai, kjo është një mbështetje shumë e madhe që i është dhënë si nga Komuna e Gjilanit, poashtu edhe nga USAID-i dhe nga kompania “Calabria”.

“Falë tre akterëve kryesorë të përfshirë në këtë projekt, personalisht kam përfituar në ngritjen e një hektari të ri me kulturë të vishnjes. Jemi të bindur se ky investim është me shumë levërdi sepse po krijohet punësimi në tokën time. Sistemi i ujitjes na ndihmon shumë në punën tonë dhe rrit rendimentet e prodhimit në një përqindje jashtzakonisht të madhe”, ka thënë mes tjerash Gjyrishevci.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)