Gjilani shpërndan gjedhe për fermerët për përmirësim racor
Gjilan, 27 tetor - Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan ka shpërndarë të martën pesë krerë gjedhe për fermerët, që janë donacion i shkollës së agrobiznesit “Arbëria”.
Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka thënë se këto gjedhe i dedikohen përmirësimit racor dhe në asnjë mënyrë nuk lejohet shitja, therrja apo tjeterërsimi i tyre.
“Ky është kontigjenti i tretë që po e shpërndajmë sot me gjedhe. Pra, 15 ekonomi bujqësore e kanë mundësinë e përmirësimit racor. Industria e mishit në Gjilan, përkatësisht Malësia e Calabria si dhe industria e qumështit Kabi, i japin mundësi të pakufizueshme zhvillimit të këtij sektori. Ne si Drejtori po bëjmë përpjekje që ta mbështesim këtë sektor, qoftë përmes realizimit të pragrameve në partneritet me shkollën “Arbëria” dhe programeve të tjera”, ka thënë Ramadani.
Drejtori i shkollës së agriobiznesit “Arbëria”, Xhelal Jetishi, ka thënë se ky donacion i sotëm është edhe një vlerë e shtuar e kësaj shkolle.
“Ne kemi hyrë në listën e donatorëve tek Drejtoria e Bujqësisë. Brenda 2 viteve kemi arritur që t’i shpërndajmë 15 krerë gjedhe për përmirësim racor, pasi për këtë racë ka nevojë Gjilani e Anamorava”, ka thënë Jetishi.
Ramadani e Jetishi e kanë falënderuar në fund kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri, për mbështetjen e madhe të ofruar për realizimin e suksesshëm të këtyre veprimtarive.