22 Dhjetor 2024

Gjilani nis implementimin e katër programeve në bujqësi

Gjilan, 17 qershor – Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë së Bujqësisë, në bashkëpunim me organizatën Islamic Relief Kosova, me të cilën kryetari Lutfi Haziri ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, sot ka nisur implementimin i katër programeve në bujqësi.

Këto programe në tërësi kapin vlerën mbi 160 mijë euro, ku 65 për qind të investimit e mbulon organizata përmes fondeve të shtetit të Kanadës dhe Komuna e Gjilanit e cila mbulon pjesen tjetër prej 35 për qind.

Drejtori i organizatës Islamic Relief Kosova, Muhamed Sulejman, ka thënë se falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me Komunën e Gjilanit dhe gatishmërisë së fermerëve, është duke u implementuar projekti për investim të drejtpërdrejt në sektorin e bujqësisë dhe përfitues janë në këto programe janë rreth 150 fermerë.

Ndërsa, drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, theksoi se me angazhimin e përbashkët dhe me mbështetjen e organizatës Islamic Relief Kosova dhe shtetit Kanadez, sot është bërë i mundur investimi në lopë qumështore, pula dhe ushqim të tyre, për të vazhduar pastaj me dy programe të tjera në bazë të planifikimit.

“Sot janë shpërndarë 37 lopë qumështore, të racës simental, e cila njihet për produkte të qumështit dhe mishit, pastaj furnizimi i 50 familjeve me nga 30 pula, kotecë dhe nga 240 kilogramë ushqim për to. Programi i tretë është ai i serrave ku janë 40 familje përfituese dhe pajisja me serra në një sipërfaqe 100 metra katror dhe implementimi do të bëhet gjatë qershorit. Programi i katërt është hapja e puseve për ujitje dhe fokusi është vendosur fermerët që kultivojnë kultura të perimtarisë dhe pemëtarisë në ambient të hapur”, ka thënë në fjalën e tij drejtori Ramadani.

Ndërsa, menaxherja e programit për Kosovë në organizatën Islamic Relief, Albulena Gashi, ka thënë se suke shfrytëzuar të dhënat e Drejtorisë së Bujqësisë në Gjilan e cila ka ofruar statistika të përfitimit për të gjithë fermerët aplikantë,  është bërë seleksionimi në bazë të kritereve dhe fermerët përfitues janë më meritorët në këtë proces.

“Shpresojmë shumë që do të kemi edhe programe të tjera të kësaj natyre gjatë të ardhmes, sepse interes i përbashkët është zhvillimi i bujqësisë si potencial i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ne si organizatë mund të japin kontributin tonë në bujqësi, në edukim, shëndetësi dhe fusha të tjera që e ndihmojnë Komunën e Gjilanit varësisht nga nevojat dhe planifikimin që ka”, ka thënë ajo mes tjerash.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)