Gjilani nis fushatën e korrje - shirjeve
Gjilan, 13 korrik - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë sot hapjen zyrtare të fushatës së korrje-shirjeve të grurit, ku fermerëve u ka uruar bereqet dhe rendimente maksimale, derisa ka garantuar që fermerët punëtorë, do të kenë mbështetje të vazhdueshme dhe ka kujtuar kohën kur Gjilani jetonte nga bashkatdhetarët në diasporë dhe punimi i tokës.
“Gurbeti dhe punimi i tokës na ka mbajtur si shoqëri. Sot jemi në ditët më të mira dhe më të bardha, ku bereqeti dhe puna në tokën tonë është një gëzim me rendimentët që po shohim. Baca Ferat ka 4 hektarë me grurë dhe kjo dëshmon për traditën e punës me përgjegjësi, që nuk e lë asnjë pëllëmbë toke pa punuar. Do të vazhdoj ta mbështes me subvencione Drejtorinë e Bujqësisë dhe çdo bujk në Komunën e Gjilanit. Thuhet edhe ashtu se ‘ai njeri që nuk ia di vlerën tokës së tij, do të humbet herëdo – kurdo”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka konfirmuar se kërkesën e bujqve do ta adreson në nivelet më të larta institucionale që të vlerësohet puna e cila është garanca më e madhe e zhvillimit ekonomik.
“Uroj që çdo familje e cila ka punuar, të korr bereçetin e vet dhe të vlerësohet kjo punë sepse kërkesën e bujqëve të Gjilanit, do ta përcjellim edhe në Ministri të Bujqësisë, për të insistuar që çmimi i grurit të vlerësohet me punën që po bëhet. Jemi Komunë tipike agro – industriale, njëherit për këto tri vitet e fundit edhe Komuna më e zhvilluar në aspektin e bujqësisë, por duhet të rrisim edhe më tutje sipërfaqën e punimit të tokës. Po paralajmëroj, gjithashtu, se toka që nuk do të punohet, do të taksohet, ndërsa toka që punohet do të jetë e liruar nga taksat”, ka thënë ndër të tjerash, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ramiz Ramadani, Drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, ka bërë të ditur se Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me autokombajnerët, bujqit dhe me komisionin komunal, kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe vlerësimet që të filloj fushata e korrje – shirjeve.
“Në përgatitjen e fushatës duke respektuar rekomandimet për pandeminë, kemi takuar individualisht auto-kombajnerët, me të cilët kemi paraparë edhe hapjen e fushatës në mënyrë të organizuar, pasi është konstatuar se gruri është i pjekur. Në arat e Gjilanit janë 61 auto-kombajna të cilët do të korrin 3 mijë hektarë me drithra të bardha. Prej tyre 2800 hektarë janë me grurë, mbi 80 hektarë me elb dhe pjesa tjetër tërshërë. Fal farës cilësore që është mbjellur nga fermerët dhe kushteve të volitshme klimatike, gjatë vegjetacionit, presim rendimente jashtëzakonisht të mira në këtë vit”, ka thënë drejtori, Ramadani.
Ferat Vokshi, fermer nga fshati Velekincë, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit për angazhimin në mbështetje të bujkut dhe ka apeluar që të gjithë të punojnë maksimalisht tokën bujqësore.
“Jam afro 6 dekada në diasporë, por asnjëherë tokën nuk e kam lënë pa e punuar. Kam një lutje për secilin që ka edhe një pëllëmbë toke, ta punoj atë. Urojmë që të ecim drejtë kulturës së punimit të tokës bujqësore, drejt kulturës së punës në përgjithësi me shpresën që qeveria të krijojë forma për ngritjen e çmimit për shitjen e drithrave të bardha, sepse ajo do të jetë edhe stimulim më tepër për punim të tokës”, ka thënë ai mes tjerash.
Apelohet nga komisioni dhe drejtoria e Bujqësisë që pas korrjes së grurit të bëhet lavrimi i cekët, në mënyrë që të shmangen zjarret, sepse dëmet mund të jenë të mëdha dhe me rrezik të përgjithshëm.