Gjilani nis fushatën e korrje-shirjeve
Gjilan, 12 korrik - Në Komunën e Gjilanit ka nisur fushata e korrje – shirjes së grurit ku për shkak të kushteve jo të favorshme në stinën e vjeshtës, këtë vit në Gjilan ka më pak se përherë hapësirë të mbjellur me kulturën e drithërave të bardha.
Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka thënë se përkundër që ka më pak hapësirë të mbjellur me kulturën e drithërave të bardha e posaqërisht me kulturën e grurit, gjenja e grurit është e mirë dhe planifikohet që Brenda 10 ditë deri në dy javë e gjithë hapësira e mbjellur në Gjilan do të korret.
“Kemi filluar fushatën në mënyrë simbolike në fshatin Livoç i Ulët dhe shpresojmë që nga 10 deri në 15 ditë do të bëhet korrja e gjitha sipërfaqeve të grurit. Sipas njoftimeve profesionale nga Drejtoria e Bujqësisë dhe komisioni për monitorimin e korrje-shirjeve konfirmohet se gjendja e grurit është e mirë dhe me rendimente më të mira se sa kemi pritur. Gjendja është shumë më premtuese, sepse nga pamja vizuele nëpër ngastra të ndryshme shihet një gjendje jashtëzakonisht e mirë e grurit”, ka thënë ai.
Ramadani ka konfirmuar se fushata është hapur në koordinim me ekspertët dhe komisionin komunal, i cili ka vlerësuar se gruri tashmë është i pjekur dhe i gatshëm për tu dërguar në pikat grumbulluese të cilat janë aktive dhe kanë kapacitete të mjaftueshme për pranimin e gjithë sasisë së grurit.
“Pas vlerësimit se janë krijuar të gjitha kushtet dhe është bërë pjekja teknologjike e grurin, e fillojmë zyrtarisht fushatën. Këtë vit i kemi mbi dy mijë e 100 hektarë me grur, 80 hektar me elb dhe një sasi të vogël prej 30 hektarëve me tërshërë. Në këtë fushatë janë të përgatitur 61 autokombajna dhe gjendja e tyre është në rregull.
Drejtori ka kërkuar nga autokombajnerët që ti përmbahen çmimit për korrjen e grurit i cili është caktuar në shumën prej 100 eurove për hektar dhe njëkohësisht ka apeluar që të shfrytëzojnë mundësinë e furnizimit me naftë nga dy pikat Hib Petrol dhe Shell Kosova të cilët kanë ofruar një zbritje simbolike për fermerët në bazë të memorandumit me Komunën e Gjilanit.
Gjithashtu Ramadani ka kërkuar që të ketë kujdes të shtuar dhe të mos bëhet ndezja e hamulloreve sepse është dëmshme për vet tokën dhe njëkohësisht është e sanksionueshme me ligj.
Drejtori Ramadani ka bartur mesazhin e kryetarit Haziri për një fushatë të suksesshme dhe të bereqetshme duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Gjilanit për fermerët në përgjithësi në mënyrë që të punohet sa më shumë toka e cila ka kapacitete të lartë të prodhimit.