Gjilani me KE-në do ta financojë punën praktike për të rinjtë në agrobiznes
Gjilan, 7 shkurt - Në Komunën e Gjilanit është prezantuar para bizneseve dhe të rinjve projekti “Të rinjtë në Agrobiznes”, për praktikën në punë, e cila do të paguhet nga projekti që financohet nga Zyra e Komisionit Europian në Prishtinë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka inkurajuar bizneset përpunuese të produkteve agro që të jenë bashkëpunuese në këtë projekt sepse krahas mbështetjes që i jepet nga projekti në të njejtën kohë ndihmojnë të rinjtë që të kenë një vend pune që siguron të ardhura për familjen e tyre.
“Komuna e Gjilanit dhe projekti i KE-së janë të përkushtuar për absorbimin dhe involvimin e të rinjve në punësim në kompanitë që kanë fushëveprim produktet agro dhe përpunimin e ushqimit."
"Qëllimi ynë me këtë subvencionim të pagës është që në bazë të performancës të rinjtë të vazhdojnë pastaj punën në këto kompani edhe pas përfundimit të projektit. Përpos kësaj, ne do të japim edhe mbështetjen tjetër për “Start up” për një numër të caktuar që i plotësojnë kriteret që të fillojnë biznesin e tyre të pavarur."
"Njëkohësisht, jemi duke punuar për të mbështetur edhe bizneset në zhvillim që këto hallka pastaj të jenë funksionale për të ardhmen dhe rritjen e numrit të të punësuarve në sektorin privat”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri gjithashtu ka thënë se Komuna e Gjilanit në nivel vendi është e para sa i përket zhvillimit ekonomik lokal, që sipas tij është një motiv edhe më i madh për punë të përbashkët në këtë drejtim.
Ndërsa, Ermelinda Haziri, udhëheqëse e programit, ka bërë prezantimin për bizneset se si mund të aplikojnë për të pranuar të rinjtë e interesuar në punë gjatë të ardhmes.
Në këtë projekt janë në bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë Komuna e Gjilanit si garantuese e zbatimit të projektit të KE-së, sektori privat dhe Zyra Rajonale e Punësimit dhe implementohet në 11 komuna të regjionit Lindje.