Gjermania rritë mbeshtetjen për bujqësinë e Kosovës
Prishtinë, 10 shkurt - Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Idriz Vehapi me bashkëpunëtorët ka pritur sot në një takim pune Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë Hans-Deiter Steinbach dhe Dr. Wendisch, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Gjermanisë.
Në takim është shprehur gatishmëri i madhe nga pala gjermane që të mbështetet sektori i bujqësisë në Kosovë, duke ofruar kështu një mundësi reale për të ofruar ndihma konkrete në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, me theks të veçantë në zhvillimin rural, në rritjen e kapaciteteve të ujitjes, në sferën e pylltarisë e në sfera të tjera bujqësore.
Ministri Idriz Vehapi me këtë rast ka paraqitur projekt konkret për nëvojat që ka Kosova, duke i shënjestruar prioritetet për bujqësinë dhe avancimet që do të duhej shënuar në rrafshin e përafrimit të Kosovës me BE-në.
Ministri Vehapi tutje ka përkujtuar edhe Javën e Gjelbër (Gruene Woche) në Berlin, ku është mbajtur Samiti i Ministrave të Bujqësisë së mbarë botës, me çrast qe diskutuar edhe për bujqësinë dhe propozim-konceptet e reja nga politikë-bërësit për zhvillimin e strategjive, si rezultat i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën.
Edhe këtë herë ministri Idriz Vehapi ka rikujtuar nevojën që ka Kosova për donatorë, siç është GTZ-ja gjermane, që të ndihmojë Kosovës për pjesëmarrje në panairin ndërkombëtar për bujqësiJava e Gjelbër, që për çdo vit mbahet në Berlin.
Ambasadori gjerman në Prishtinë Hans-Deiter Steinbach ka shprehur gatishmërinë e Republikës së Gjermanisë për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror edhe në fushën e bujqësisë, duke vënë në përparësi projektet e ofruara, për të cilat, siç tha ai, shumë shpejt do të dilet me një përgjegje konkrete rreth arsyeshmërisë së tyre.