Gjermania e gatshme për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të Kosovës
Prishtinë, 10 shkurt - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin kanë biseduar rreth politikave zhvillimore në bujqësi, si dhe për objektivat e kësaj ministrie për këtë mandat, që për qëllim kanë fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori.
Ministri Mustafa, me këtë rast ka falënderuar ambasadorin Heldt për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe atë të bujqësisë.
Ai po ashtu e ka njoftuar ambasadorin për investimet, të cilat planifikojnë t’i bëjnë në këtë sektor në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të këtij viti, si dhe ka theksuar se transparenca dhe efikasiteti në punë do të jenë angazhimet themelore në këtë mandat.
Nga ana e tij, ambasadori Christian Heldt ka uruar ministrin Mustafa për detyrën e re dhe ka rikonfirmuar gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të vendit.