25 Dhjetor 2024

Gjendja e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit e rëndë

Prishtinë, 22 mars - Sot Instituti GAP organizoi një konferencë për media me temë “ Gjendja e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit”. Me këtë rast, është prezantuar edhe Analiza për Industrinë e Qumështit e përgatitur për Institutin GAP.


Si sektor me rëndësi të veçantë, sektori i qumështit punëson një numër të madh të fermerëve. Instituti GAP në analizën e tij ka analizuar problemet e prodhuesve dhe përpunuesve vendor të qumështit, përmes pyetësorëve për të gjitha hallkat e vlerës në këtë industri. Bazuar në këto pyetësorë dhe të dhënat zyrtarë të MBPR-së, MTI-së, ASK-së dhe doganës së Kosovës, Instituti GAP ka gjetur se dy politikat ekonomike që zbatohen aktualisht nuk kanë qenë shumë efektive për shkak se nuk e kanë rritur numrin e lopëve qumështore si dhe nuk e kanë rritur cilësinë e qumështit të prodhuar. Në anën tjetër, importi ka vazhduar të rritet, në shumicën e rasteve në formë jo-lojale. Disa prej problemeve tjera të hasura në këtë sektor janë: problem për qasje në financa, efiqiencë e ulët e prodhimit, mungesë e diversifikimit të produkteve etj.


Z. Isuf Cikaqi, nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, premtoi se do të vazhdojë mbështetja e këtij sektori strategjik për Kosovën prej kësaj ministrie. Megjithatë, përkundër të gjeturave të Institutit GAP se politikat e tanishme nuk janë efektive në rritjen e prodhimit të qumështit dhe rekomandimit për dhënie të subvencioneve për prodhim, z.Cikaqi deklaroi se MBZHR-ja do të vazhdojë të jap subvencione për krerë lopësh. Këtë metodë e arsyetoi si formën më mirë të monitorueshme dhe zbatueshme prej MBZHR-së, duke pasur parasysh kapacitetet aktuale buxhetore të Ministrisë. Për më tepër, z.Cikaqi tha se prej bisedave të tyre me shoqatat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit nuk ka pasur ndonjë kërkesë prej tyre për ta ndërruar metodën e subvencionimit. Për këtë vit, MBPZHR-ja ka parashikuar rreth 6 milionë euro për subvencionim të këtij sektori dhe rreth 2 milionë për grante.


z. Naser Bajraktari, nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit, për ta ilustruar rritjen e këtij sektori përgjatë viteve deklaroi se pas fillimeve modeste të kësaj shoqate, tash  kjo numëron rreth 2500 fermerë prej të cilëve prodhohen rreth 200 litra qumësht në ditë. Sa i përket rritjes së cilësisë së qumështit, z.Bajraktari tha se disa kontrata të prodhuesve nuk janë njohur nga MBZHR-ja në vitin 2015, mirëpo në vitin 2016 iu është premtuar nga kjo ministri se do të njihen këto kontrata për subvencionim bazuar në cilësinë e qumështit. Z. Bajraktari theksoi rëndësinë e futjes së grumbulluesve të qumështit në skemat për grante, pasi që kjo hallkë është shumë e rëndësishme në zinxhirin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit.


Znj. Sytrime Dervisholli, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, poashtu u pajtua me rëndësinë e veçantë të këtij sektori. Ajo tha se MTI-ja është marrë seriozisht me këtë sektor, duke e bërë çështje diskutimi të Komisionit Ndërinstitucional, grupeve punuese e edhe Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Për sa i përket të gjeturave të Institutit GAP, znj. Dervisholli u deklarua se nën ligjin për masa mbrojtëse për import dhe atë për anti-damping, nuk iu është lejuar të marrin masa në rastet që janë paraqitur tek ta, për arsye se nuk janë shkelur këto dy ligje. Në këtë përfundim MTI-ja kishte arritur pas një studimi të detajuar. Poashtu, znj. Dervisholli potencoi se edhe nën MSA produktet e këtij sektori janë të cilësuara si produkte të ndishme, prandaj janë të mbrojtura nga liberalizimi.


Në fund, prezantimet u përcollën me një debat interaktiv ku u diskutua për masat e marra nga MTI-ja për shkeljet e evidentuara, të përmendura edhe në analizë, si dhe për metodat më të mira për të rritur produktivitetin e prodhimit të qumështit.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)