22 Dhjetor 2024

Gjakova bëhet me objekt për promovimin e produkteve bujqësore

Prishtinë, 2 tetor - Në fshatin Korenicë të komunës së Gjakovës, në kuadër të qendrës demonstruese agrozooteknie “Butsina Begut”, sot u inaugurua objekti i ri që do të shërbejë për organizimin e panaireve të ndryshme bujqësore.

Ndërtimi i këtij objekti ka qenë iniciativë e OJQ-së “Ardhmëria Bujqësore Kosovare” dhe implementimin e tij e ka financuar KFOR-i italian, përkatësisht CIMIC-i.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se ky objekt është rezultat i bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet Kosovës dhe Italisë dhe vjen si përkrahje e radhës e këtij shteti për bujqësinë tonë.

“Para pak kohësh kemi inauguruar qendrën për inseminim artificial në Pejë, i cili po ashtu ishte investim i KFOR-it italian dhe tani po inaugurojmë projektin e radhës. Qeveria e Italisë me përkrahjen e saj është mjaft e fokusuar në sektorin e bujqësisë, por për t’ju dhënë edhe më shumë vlerë këtyre projekteve, ju informoj se jo vetëm përkrahja e shtetit italian, por kontributi i shumicës së donatorëve që nga viti i ardhshëm do të trefishohet”, tha ministri Stavileci.

Ai shtoi se buxheti për bujqësinë kosovare do të dyfishohet në vitin e ardhshëm dhe po ashtu do të ndërmerren edhe një varg masash të reja për bujqësinë kosovare.

Ai tha se kjo dëshmon më së miri se po hyjmë në një dekadë të re, në të cilën do të plotësohen shpresat e fermerëve të vendit.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Michael Giffoni, tha se ekziston një lidhje e pashkëputshme midis popullit italian dhe kosovar që shkon përtej afërsisë gjeografike.

“Inaugurimi i këtij objekti tregon më së miri për bashkëpunimin mes nesh, sepse si populli kosovar, si ai italian e kanë një lidhje të thellë me natyrën dhe tokën. Shteti i Italisë që përfaqësohet në Kosovë gjithmonë e ka konsideruar sektorin e bujqësisë si fundamental për rritjen ekonomike dhe mbështetjen tonë masivisht e kemi koncentruar në këtë fushë për të ndikuar në ngritjen e standardit jetësor në shoqërinë kosovare”, potencoi ambasadori Giffoni.

Ndërsa, nënkryetari i komunës së Gjakovës, Agim Koci, tha se mbështetja e KFOR-it italian ka qenë e orientuar në shumë drejtime, mirëpo tani është fokusuar në masë të madhe në projekte zhvillimore për sektorin e bujqësisë.

“Zbatimi i këtyre projekteve tregon bashkëpunimin e ngushtë të strukturave qeveritare, ushtarake e diplomatike të shtetit Italian me Kosovën”, tha nënkryetari Koci.

Projekti për ndërtimin e këtij objekti është mbështetur me gjithsej 32.000 € nga KFOR-i italian.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)