Gërxhaliu: Toka e Kosovës nuk është e helmuar por e bekuar
Prishtinë, 22 shkurt - "Toka e Kosovës nuk është e helmuar por ajo është e bekuar". Këto fjalë i tha kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu gjatë vizitës që i bëri kompanisë Las Palmas e cila merret me kultivimin e fidanëve të pemëve dhe perimeve, luleve dhe kultivimin e domateve, trangujve, specave, etj. ku u prit nga pronari i kompanisë Luan Buçaj.
Kompania Las Palmas ka një traditë shumëvjeçare në këtë sektor mjaft të rëndësishëm të ekonomisë kosovare dhe me krenari punon, zgjeron kapacitetet e veta, avancon teknologji moderne, edukim dhe trajnim të stafit dhe në të gjitha këto ka arritur që kjo kompani pjesën dërmuese të produkteve të veta ti plasojë në tregjet evropiane dhe më gjerë.
Vlen të theksohet se përveç produkteve të tjera ka arritur të nënshkruaj kontrata me partner nga Gjermania në përgatitjen e fidanëve të asparaxhos, e cila është e mirënjohur si perime e rëndësishme për shëndetin e njeriut dhe mbi të gjitha tani është kuptuar që në Kosovë ekzistojnë kushte ideale për kultivimin e saj.
Kompania në fjalë ka më se 40 të punësuar me afro 7000 m2 sera të mbuluara dhe pothuajse profitin e arritur në tërësi e investon në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.
Buçaj thekson se është I shokuar me raportin e EULUP kinse për tokën e helmuar dhe të kontaminuar të Kosovës që është një e pavërtetë e kulluar se po të ishte diçka e tillë do të ishte e pamundur të eksportoheshin produktet kosovare jashtë vendit.
Çdo herë I bëjmë analizat e tokës dhe nuk mund të besojnë se ato të bëra në Global GAP nuk paskan rëndësi për pseudo-institute private në Kosovë. Është kjo një luftë speciale si duket ndaj Kosovës dhe prodhimit të saj, por me punë dhe me angazhim ne do tia dalim ti demantojmë këto shpifje tendencioze dhe e vërteta të dalë në shesh.
Kryetari Gërxhaliu tha Jam i fascinuar me punën, angazhimin dhe seriozitetin e përcjellur me një profesionalizëm të nivelit të lartë në kompaninë Las Palmas. Një qasje e tillë është përgjigja më e mirë e zërave të kqinj të cilët e njollosin tokën e Kosovës me të vetmin qëllim që të deinkurajohet rë rend të parë konsumatori vendor e më pas fermeri e prodhuesi kosovar dhe si tërësi të shkatërrohet ekonomia kosovare edhe ashtu e ballafaquar me sfida të shumta."
"Por, djersa e pastër e farmerëve kosovarë është shumë më e fortë se sa intrigat dhe shpifjet e gatuara në laboratorë famëkeqe të cilat si duket janë një dorë e zgjatur e luftës speciale kundër progresit në Kosovë. Shembuj të tillë si Las Palmas për fat të mirë ka shumë në Kosovë dhe mu këta janë përgjigja më e mirë dhe vula më e fortë që dëshmon se toka e Kosovës nuk është e helmuar por ajo është e bekuar. Rendimentet e grurit, misrit, elbit, rrushit, domateve, patateve dhe shumë kulturave tjera që kultivohen në tokën e Kosovës e dëshmojnë një gjë të tillë", ka theksuar Gerxhaliu.