Furrtarët mitrovicas ankohen për çmimin e lirë të bukës
Mitrovicë, 21 prill - Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Inspekcionit Naim Hajra, kanë pritur përfaqësuesit e furrtarëve të Komunës, me të cilët kanë biseduar rreth problemit të shitjes së bukës.
Përfaqësuesit e furrtarëve, shprehen shqetësimin e tyre për sjelljen e bukës në Mitrovicë, nga një furrë e Skenderajt dhe nga Zubin Potoku, të cilat sipas tyre, ofrojnë bukë me çmim më të lirë se furrat vendase, duke i dëmtuar ato ekonomikisht.
Kryetari Bahtiri, iu tha atyre se, tregu i vendit është unik dhe nuk është në kompetencat e Komunës që të përcaktoj çmimin e bukës. Ne si Komunë, mund të kontrollojmë bukën për peshë, cilësi dhe deklaracion dhe nëse këtu ka shkelje Inspekcioni mund të veprojë dhe sanksionoj këto furra. Ndryshe ne nuk mund të përcaktojmë çmimin e shitjes\", tha Bahtiri.
Ndërkaq, drejtori Hajra, i njoftoi furrtarët se nga Inpekcioni ka pas kontrolle rreth peshës dhe deklaracionit të bukës, me çrast në mungesë të deklaracionit në dy raste është konfiskuar bukë që vinte nga furrat e Zubin Potokut.
Ai është zotuar se Inspekcioni do të vazhdoj të bëjë mbikëqyrjen e bukës në cilësi dhe parametra të përcaktuara në peshë si dhe deklaracion, duke paralajmëruar sanksione në rast të evidentimit të shkeljeve.