Funksionalizohet tregu i kafshëve në Mitrovicë
Këta hapa vlerësohen si shumë të rëndësishëm për vendosjen e rregullit në rrugët e qytetit si dhe sistemimin e të gjithë tregtarëve në vendet adekuate.
Drejtori i Inspekcionit, Lulzim Zeqiri, tha se pas sistemimit të tregtarëve të pemëve dhe perimeve në Tregun e Qytetit, një gjë e tillë do të bëhet edhe me tregtarët e kafshëve, të cilët e kanë vendin e gatshëm.
Tregu i Kafshëve ka qenë i gatshëm që moti, mirëpo nuk është shfrytëzuar prej tregtarëve të kafshëve.
Ai theksoi se prej pasluftës tregtarët e kafshëve veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në rrugë. Tash një gjë e tillë nuk do të lejohet, meqë jemi shumë të vendosur që të vëjmë rregull dhe rend.
Në anën tjetër, koordinatori i ndërmarrjes komunale Tregu, Nexhat Dedia, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet që prej kësaj të shtune, të nis funksionimi i Tregut të Kafshëve.
Ne i njoftojmë dhe kërkojmë prej të gjithë tregtarëve të kafshëve që të shfrytëzojnë tregun që gjendet skaj hekurudhës afër restaurantit VillaLux.
Tha se në atë vend ishte investuar para disa vitesh nga Komisioni Evropian, duke krijuar një hapësirë që plotëson të gjitha kushtet për një treg adekuat për kafshë.
Tregu i Kafshëve ka oborrin e rrethuar dhe të shtruar, mandej ka vendet e caktuara për të lidhur kafshët etj.
Ai përmendi si një objekt mjaft me rëndësi që gjendet aty edhe Thertoren, e cila poashtu ofron kushte adekuate për therjen e kafshëve.
Deri me tani kafshët janë shitur dhe therur nëpër rrugë duke mos respektuar asnjë kriter higjieniko-sanitar. Tash më nuk do të lejohet një gjë e tillë.
Dedia theksoi se kanë mbështetjen e plotë të Inspekcionit dhe Policisë për këto masa. Të gjithë atyre që nuk respektojnë këto rregulla për shitjen e kafshëve në treg si dhe therjen e kafshëve në therrtore, do tu konfiskohen kafshët.