FSBK akuzon qeverinë për rendimentet e ulëta të grurit
Prishtinë, 31 korrik - Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës (FSBK) ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Bujqësisë për, rendimentet e ulëta të grurit sivjet sepse kjo sipas tyre ka ardhur për shkak të përdorimit të farërave dhe plehrave të cilësisë shumë të dobët.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, gjatë një konferencë për media, ka folur edhe për paralajmërimet për shtrenjtimin e çmimit të bukës, për të cilën gjë ka pohuar se rritja është pasojë e mungesës së rendimenteve të grurit.
Ai ka përmendur disa nga faktorët të cilët kanë bërë që rendimentet të jetë shumë të ulëta sivjet.
Një faktor tjetër, sipas Tahirit, është edhe mospërdorimi sa duhet i plehut ose mospërdorimi i farërave cilësore. Ky dështim, sipas tij, po vjen për shkak të gjendjen jashtëzakonisht të rëndë ekonomike, ku fermerët nuk po kanë mundësi për ta blerë sasinë e paraparë të plehut për një hektar dhe po shkojnë me përgjysmimin e tij.
Ai ka shtuar se subvencionimi që po ia bënë bujqve Ministria e Bujqësisë nuk është subvencionim, por është ndihmë sociale prej 100 eurove për hektar. Sipas Tahirit, edhe ato subvencione po jepen të kushtëzuara për të gjithë ata që i kanë të mbjella mbi 2 hektarë.
Ai subvencionimin e MBPZhR-së e ka quajtur destimulues për bujqit, duke kërkuar që për një hektar kjo Ministri ti japë 250 euro dhe atë prej një hektari e jo për ata që mbjellin mbi 2 hektarë.
Kreu i FSBK-së, duke i komentuar paralajmërimet e fundit për shtrenjtimin e bukës, ka thënë se kjo po vjen si pasojë e rendimenteve të ulëta të grurit dhe mungesës së rezervave.
Të gjitha këto, statistika Tahiri ka thënë ti ketë marrë nga aktivistët që i kanë në terren, nga përfaqësuesit e shtabeve të seksioneve sindikale nga të gjitha komunat.
Ndërkaq duke folur për ngritjen e çmimit të bukës, ai ka thënë se nuk ka bazë për një gjë të tillë, edhe pse në tregun e bursës ka ngritje çmimesh, që, sipas tij, tek ne do të duhet të reflektonte disa muaj më vonë.
Ai thotë se kjo po bëhet për shkak të tendencës së furrave që të fitojnë maksimumin për produktin e bukës.
Për më tepër, fushata e korrje-shirjeve sivjet është në përfundim e sipër, pasi që ka mbetur vetëm komuna e Sharrit, e cila ende nuk e ka përfunduar, për shkak të klimës që e ka.
Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, sivjet kanë qenë të mbjella mbi 80 mijë hektarë me grurë, ku për një hektarë rendimenti sillet rreth 3200 kilogramë.