Franca tërheq nga shitja rrushin maqedonas
Paris, 15 nëntor - Rrushi i importuar nga Maqedonia, për shkak të përqindjes së madhe të pesticideve, është tërhequr nga shitja në dyqanet e Francës.
Gjatë kontrollit të bërë nga shërbimet kompetente franceze, është konstatuar se rrushi i Maqedonisë ka sasi të tepërt të pesticideve dhe, si rezultat i kësaj situatë është marrë vendim që ky produkt të tërhiqet nga shitja, njofton Nova TV.
Ky informacion është bërë publik edhe në sistemin për paralajmërim të shpejtë gjatë paraqitjes së ushqimit jo të shëndetshëm në BE.
Në rrushin e Maqedonisë janë gjetur sasi të tepërta të substancave kimike dimetoat dhe ometoat, që shfrytëzohen si pesticide.
Si transmeton Zhurnal, rrushi i Maqedonisë në tregun e Francës ka qenë që nga muaji shtator, kurse kontrolli është bërë më 6 nëntor.
Kosova është importuesja më e madhe e produkteve, në veçanti të artikujve ushqimor, nga IRJM.
Selatin Kaçaniku, kryetar ekspert për kauzën, të drejtat, intereset dhe dinjitetin e konsumatorit ka thënë së pretendojmë se edhe rrushi nga Shteti fqinjë është i pranishëm në tregun tonë.
\"Praktikat dhe dëshprimet janë duke na mësuar të mos i besojmë më letrave / dokumenteve / çertifikatave sepse shumica e shteteve me Institucionet e tyre nuk janë të afta të garantojnë dokumentet përcjellëse të produkteve që i eksportojnë\", ka theksuar Kaçaniku.
As asociacionet Rajonale, Ndërkombëtare e Botërore sipas tij nuk po dëshmojnë kredibilitet.
\"Duke pasur parasyshë motivimin e pamjaftueshëm të Mekanizmave të Kosovës për mbikqyrjen dhe inspektimin e tregut, për kujdesin / mbrojtjen / sigurinë e konsumatorit, del se jemi të pa mbrojtur.\"
\"Sigurinë e ushqimeve në letër na e garantojnë Kushtetuta dhe një dyzinë Ligjesh\", ka theksuar Kaçaniku