Fillon punimi i arave në veri të Mitrovicës
Mitrovicë, 20 maj - Pas përmirësimit të kushteve atmosferike ka rinisur punimi i arave në veri të Mitrovicës, përkatësisht në sipërfaqet bujqësore që janë prona të banorëve të Suhadollit dhe Vidimriqit.
Këto punë janë duke u realizuar në kuadër të një Memorandumi Mirëkuptimi për subvencionimin e fermerëve në këtë pjesë të Kosovës që është bërë ndërmjet Komunës së Mitrovicës, koordinatorit të Zyrës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për Veriun e Mitrovicës dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Për të parë ecurinë e punëve të enjten kanë dalur në terren zyrtarë të komunës si dhe koordinatori i Qeverisë së Kosovës për Strategjinë gjithëpërfshirëse për veriun, Ylber Hysa, të cilët kanë theksuar se punët janë duke ecur mirë dhe pa probleme.
Hysa tha se gjithçka po shkon mirë dhe njerëzit janë shumë të kënaqur me këtë projekt, meqë ata për dhjetë vjet rresht nuk kanë mundur ti punojnë tokat e tyre.
Ndërsa Rasim Veseli, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës, tha se interesimi i banorëve për tu bërë pjesë e këtij projekti, nëpërmjet të cilit janë siguruar nga 280 euro për punimin e çdo hektari tokë ka qenë shumë i madh.
Ai theksoi se kërkesat e fermerëve për punimin e tokës janë më shumë se për 100 hektarë sa janë paraparë në memorandumin e nënshkruar për subvencionimin e fermerëve të veriut.
Shumë të kënaqur me punën e filluar shpreheshin edhe banorët e asaj ane. Ali Haliti, në arën e të cilit pas dhjetë vitesh shihej gjallëri nga traktorët që lëvronin arën, thotë se tash duket që gjërat kanë nisur të kthehen mbarë. Ai thekson se pas luftës disa herë kishin provuar që ti punonin tokat e tyre, por ju kishte munguar siguria.