25 Dhjetor 2024

Fillon projekti ndërkufitar për menaxhimin e pellgut të Drinit

Tiranë, 16 dhjetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, po merrë pjesë në konferencën që po mbahet në Tiranë, me rastin e fillimit të projektit “Mundësimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe menaxhimi i integruar i resurseve ujore në Pellgun e Drinit”.

Ministri Agani, në fjalën e tij fillimisht falenderoi Global Environment Facility (GEF), për financimin e projektit, UNDP-në si partner implementues dhe Global Water Partnership (GËP) si partner ekzekutiv i projektit.

Ministri Agani, tha se ky projekt paraqet një hap të madh në drejtim të përmbushjes së objektivit të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2011, për ”Promovimin e veprimit të përbashkët për menaxhimin e koordinuar dhe të integruar të resurseve të përbashkëta ujore në pellgun e Drinit”.

“Në kontekstin e Pellgut të Drinit, në sektorin e ujërave të zeza, është me rëndësi të përmendim se aktualisht është në proces ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren. Hapa konkret janë shënuar për impiantet në  Gjakovë e Pejë, si dhe projekte të tjera për rregullimin e shtretërve të lumenjve. Kështu, ne presim që zbatimi i suksesshëm i këtyre projekteve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së ujërave në Pellgun e Drinit”, tha ministri Agani.

Ai shtoi se përkitazi me zhvillimet në sektorin e ujërave në Kosovë, në qershor të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Politikat e Qeverisë për Ujëra, ku veç tjerash “Qeveria pranon se mbrojtja e ujit si resurs esencial është prioritet për zhvillimin e menjëhershëm dhe të ardhshëm socio-ekonomik të Kosovës, dhe e deklaron ujin si një ndër prioritetet e saj gjatë dekadës së ardhshme (2015-2025)”.

Ky dokument e rikonfirmon nevojën për mbrojtje dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të ujit në Kosovë, si një resurs i kufizuar, por edhe si një e drejtë njerëzore për qasje të pa kufizuar për ujë të pijes dhe si një nevojë e domosdoshme për bujqësinë dhe ekonominë e vendit.

Në ndërkohë, përveç aspektit legjislativ, përkatësisht ligjit për ujërat e Kosovës, dhe përgatitjes së një sërë Udhëzimesh Administrative, është përgatitur Strategjia Shtetërore e Ujërave 2015-2034, e cila është në proces të aprovimit, janë shpallur vendime për zona të mbrojtura sanitare, dhe mund të thuhet se është bërë një progres modest në aspektin e rregullimit të sektorit.

Paralelisht me fuqizimin e legjislacionit, Ministri Agani shtoi se janë duke punuar edhe në fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale.

“Aktualisht, jemi në fazën finale të themelimit dhe funksionalizimit të Autoritetit të Pellgjeve Lumore, institucion ky i paraparë me ligj, i cili do të ketë përgjegjësitë kryesore për menaxhimin e resurseve ujore në nivel pellgu, dhe përmes të cilit synojmë që të përmirësojmë performancen institucionale dhe të rrisim efektivitetin në mbrojtjen dhe shfrytëzimit racional të resurseve ujore”, shtoi ai.

Përkundër përparimeve modeste në aspektin legjislativ dhe institucional, MMPH është e vetëdijshme për sfidat dhe problemet në sektorin e ujërave. Sfidë kryesore mbetet financimi i projekteve ujore.

Sipas vlerësimeve të dhëna në Strategjinë Shtetërore për Ujëra, si dhe në Dokumentin e Politikave të Qeverisë për ujëra, kostoja e projekteve ujore është rreth 1.25 miliard euro, shumë kjo që përfshinë projekte të furnizimit me ujë, trajtimit të ujërave të zeza si dhe mbrojtjen e resurseve ujore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)