Fillon implementimi i projektit për riciklimin e mbeturinave
Prishtinë, 4 qershor - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ambientit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim, në bashkëpunim me UNDP-në dhe në mbështetje të Qeverisë Holandeze, ka filluar implementimin e projektit për riciklimin e mbeturinave.
Përmes Iniciativës së Gjelbërt të Parlamentit për riciklim të mbeturinave, Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës do ti paraprijë të gjitha institucioneve dhe popullatës në përgjithësi për të mbrojtur më shumë ambientin dhe mbështetur ligjet bazë për ambientin.
Një hap i tillë mundëson që tonelata të produkteve të letrës, aluminit dhe plastikës të ripërpunohen dhe të kthehen prapë në produkte të përdorshme. Me këtë mënyrë, do të kontribuohet në zvogëlimin e numrit të deponive në komunën e Prishtinës. Kështu që Kuvendi i Kosovës, përveç përgatitjes së legjislacionit, monitorimit dhe përfaqësimit, do të ndikojë direkt në ruajtjen e ambientit, u tha gjatë kësaj ceremonie.
Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim, Naser Rugova duke falënderuar për këtë mbështetje UNDP-në, Qeverinë e Mbretërisë së Holandës, si dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor theksoi se vendosja kontenjerëve të tillë do të kontribuojë në ruajtjen e ambientit dhe trajtimin e mbeturinave, në bazë të standardeve evropiane.
Ne sot po shënojmë një ditë shumë të rëndësishme, Ditën e Ambientit. Kjo ditë për të gjithë ne ka vlera të mëdha sa i përket mbrojtjes së natyrës dhe popullatës, për një mjedis më të shëndoshë dhe ekologjik. Me këtë rast kemi vendosur kontenjerët që janë ndihmesë i procesit të riciklimit. Besojmë se riciklimi i cili i takon një procesi dhe teknologjie moderne, do të gjejë zbatim edhe në vendin tonë, tha Rugova duke sqaruar tutje se Komisioni për Bujqësi...aktualisht është në fazën e plotësimit dhe ndryshimit të Projektligjit për Mbeturinat.
Gjatë kësaj ceremonie foli edhe ministri i Mjedisit dhe Ambientit, Mahir Yagcilar. Ai tha se ministria të cilën e drejton ai, bashkarisht me Komisionin parlamentar për Bujqësi, është në përpjekje të një krijimi të një hapësire sa më pastër në vend. Do të krijojmë edhe një kornizë ligjore në mënyrë që të veprohet me më efikasitet në fushën e mjedisit, tha Yagcilar, duke sqaruar se kontenjerë të tillë do të vendosen edhe në mjediset e Qeverisë, për të vazhduar me projekte të tilla edhe në institucionet tjera shtetërore. Po ashtu Yagcilar tha se do të përpjeken që të krijojnë sa më shumë hapësira të gjelbëruara.
Me këtë rast folën edhe përfaqësuesi i zyrës mbretërore të Holandës, z. Carel Brands, si dhe koordinatorja zhvillimore e agjencive të KB-ve, znj. Osnat Lubrani, të cilët theksuan se iniciativa të ngjashme për të pasur një ambient të pastër duhet të praktikohen gjatë tërë vitit.
Ky aktivitet i kontribuon respektimit të ligjeve për mbrojtjen e ambientit, si dhe përkrahjes së ligjeve të reja në mënyrë që të reduktohet numri i sipërfaqes së mbeturinave përreth Prishtinës. Me këtë rast ky aktivitet i jep përkrahje edhe vendimit të pesë komunave të Kosovës, për të caktuar vendet për riciklim të mbeturinave, u tha gjatë kësaj ceremonie.
Shënimi i kësaj iniciative filloi me vendosjen e kontenjerëve të dizajnuar enkas për riciklim, e cila u bë në hollin e ndërtesës së Kuvendit. Vendosja e
shportave të ndara për letër, plastikë dhe kanaçe për riciklim do të vazhdojë në të gjitha zyret e Kuvendit, deri në fund të muajit korrik të këtij viti.
Hedhja e mbeturinave për riciklim në kontejnerin e parë të vendosur në hollin e ndërtesës së Kuvendit u bënë nga Naser Rugova, përfaqësues të Qeverisë holandeze, përfaqësues të UNDP-së, si dhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.