24 Dhjetor 2024

Fillon fushata për ruajtjen e pyjeve “Pyjet janë burim i jetës”

Prishtinë, 21 mars - Nga sot, që është edhe Dita Ndërkombëtare e Pyjeve,  Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural fillon një fushatë vetëdijesuese dhe informuese për resurset pyjore të Kosovës.

Kjo fushatë, që do të zgjasë një muaj, po bëhet në bashkëpunim me projektin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) për mbrojtjen e pyjeve të Kosovës, projekt ky që mbështetet nga Qeveria e Finlandës.

21 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është  e përcaktuar me rezolutën e Kombeve të Bashkuara në nëntor të vitit 2012 dhe festohet çdo vit dhe në secilin vend të botës përmes aktiviteteve të ndryshme që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për mbrojtën dhe ruajtjen e pyjeve. Ideja për shënimin e kësaj date ka nisur që nga viti 1971.
 Fushata në Kosovë do të orientohet në ngritjen e vetëdijes qytetare rreth pasurive pyjore në Kosovë si dhe ruajtjen dhe shfrytëzimin e tyre në mënyrë të qëndrueshme.

Fushata do të organizohet përmes emetimit të spoteve publicitare, organizimit të debateve publike dhe shpërndarjes së materialeve të printuara për nxënës dhe qytetarë. Mesazhet që do të dërgohen përmes këtyre mjeteve kanë të bëjnë me informacionet rreth resurseve dhe pasurive pyjore në Kosovë, shfrytëzimin e energjisë nga biomasa drunore dhe ndalimin e veprimeve ilegale nëpër pyje.

Slogani i fushatës është “Pyjet janë Burim i Jetës”. MBPZHR-ja synon që përmes kësaj fushate që të shpërndaj informacione për publikun e gjerë, me theks të veçantë për nxënësit e shkollave fillore dhe rininë, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e ruajtjes së pyjeve si pasuri kombëtare. Krahas kësaj MBPZHR-ja po vazhdon të punojë në rritjen e efikasitetit në mbrojtjen e pyjeve dhe ripyllëzimin e tyre.

Mbi 42 % e territorit të Kosovës është e mbuluar me pyje. MBPZHR shpreh mirënjohje të lartë për organizatën FAO dhe donatorin e projektit Qeverinë e Finlandës në mbështetje për hartimin dhe realizimin e kësaj fushate. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)