Fillon faza e gjashtë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës
Prishtinë, 11 shtator - Duke filluar nga sot fillon faza e gjashtë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës.
Kjo ditë është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompanisë pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje, për arsye se reshjet gjatë procesit të dezinsektimit e bëjnë të paefektshëm aksionin.
Duke u bazuar ne këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6000 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillmit të këtyre insekteve. Edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 23:30, sipas datave nëpër lagjet e caktuara.
Bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për suksesin e këtij procesi. Andaj luten të gjithë qytetarët për bashkëpunim në mënyrë që ky aktivitet të jetë sa më i sukseshëm.
Gjatë kohës së dezinsektimit, qytetarët duhet t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda dhe të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi së paku për një orë. Gjithashtu apelohet te shoqatat e bletarëve , për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe.
Monitorimi i këtij procesi nga ana e Komunës së Prishtinës do të jetë i vazhdueshëm, dhe në bashkëpunim me qytetarët do ta japim maksimumin për një dezinsektim sa më efektiv.