Fillon edicioni i festës së vjeljes së rrushit HardhFest 2016
Rahovec, 2 Shtator - Kjo festë ndër vite ka ndryshuar, duke arritur nivelin e organizimeve më të rëndësishme në Kosovë. Me ribrendimin e festës së vjeljes së rrushit, duke u quajtur HardhFest, me rritjen e aktiviteteve, festivali arriti të fuqizohet, kështu duke sjell 20 mijë turistë, në festë dhe Rahovec.
Gjithashtu këtë vit, HardhFest arriti të ndërkombëtarizohet, nëpërmjet Art Symposium dhe Koncerteve, duke sjellë emra të njohur të artit ndërkombëtarë, si artistë nga Suedia, Zvicra,Gjermania, Arabia Saudite, Bjellorusia, Bosna dhe Hercegovina, Greqia, Polonia, Turqia, Bullgaria,Maqedonia si dhe Shqipëria e Kosova.
Parakalimi i mekanizmit bujqësor, nga qendra e qytetit, deri tek Konaku, ishte aktiviteti i parë që i dha frymën e festivalit qytetit të Rahovecit.
Me fillim nga ora 12:00, për herë të parë, në kuadër të HardhFestit, janë hapur promo-skenat, ku DJ të cilët duan të promovohen do të performojn zhanre të ndryshme të muzikës.
Në anën tjetër, në Oborrin e Stone Castle, po ashtu në ora 12:00 u hap Kolonisë së Artistëve.
Artistë të mbledhur nga Arabia Saudite, Zvicra, Turqia, Greqia, Bullgaria, Bjellorusia, Greqia, Shqipëria e Kosova, nga sot fillojnë pikturimet e tyre.
Artistja nga Gjakova, Mimoza Rraci, thotë se është hera e parë që ajo merr pjesë në koloninë e mbajtur në kuadër të Hardh Fest-it. Atmosfera e mbizotëruar në koloninë e artistëve, është shumë inspiruese për punën e tyre.
Ndërsa, Saimir Strati nga Shqipëria, i cili është 9 herë rekordmen në librin e rekordeve Ginnes në kategorinë për mozaik, the se është kënaqësi e veçantë që të realizojë një vepër për një festival kaq domethënës. Tradita rahovecianë e vreshtarisë është shumë mbresëlënëse dhe për këtë arsye mendova të realizoj një mozaik të realizuar me kristale sepse një verë e mirë pihet në një gotë kristali.
Që në aktivitetet e para, është duke u vërejtur një numër i madh i pjesëmarrësve, e turistë të vendeve të ndryshme të botës.
E gjatë gjithë ditës, si n`Konak, ashtu edhe në qendër të qytetit, do të mbahen aktivitete të ndryshme.