Fillon anketa pas regjistruese për regjistrimin e bujqësisë
Prishtinë, 1 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), sot fillon punën me Anketën Pas Regjistruese (APR), e cila ka për qëllim matjen e mbulueshmërisë dhe vlerësimin e cilësisë së të dhënave të Regjistrimit të Bujqësisë në një mostër prej 1%.
Fokusi kryesor është: në mbulueshmërinë, në identifikimin e anëtarëve të popullsisë së synuar, që nuk janë takuar gjatë grumbullimit të të dhënave të Regjistrimit; si dhe në identifikimin e gabimeve, ku saktësia e identifikimit të variablave kontrollohet me mbledhjen e sërishme të këtyre të dhënave në njësitë mostër.
Kurse, njësitë që nuk janë përgjigjur kontaktohen përsëri, me qëllim që të merren së paku disa informacione kyçe për ekonominë familjare bujqësore.
Sipas Ligjit për Regjistrimin e Bujqësisë, Nr.04/L-127 (Gazeta Zyrtare Nr. 1/2013/17.01.2013), Ligji Nr. 04/L-253 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 04/L-127 për Regjistrimin e Bujqësisë (Gazeta Zyrtare Nr. 32/2014/15.05.2014), i cili përbën referencën kryesore ligjore për këtë aktivitet statistikor, APR kryhet gjatë preriudhës 1 15 dhjetor 2014.
Të dhënat do të mblidhen për periudhat referuese në vijim: Shfrytëzimi i tokës, një (1) vit bujqësor, nga data 31 tetor 2013 deri më 1 nëntor 2014; Blegtoria, 1 nëntor 2014; Fuqia punëtore, një (1) vit bujqësor, nga 31 tetor 2013 deri më 1 nëntor 2014.
Karakteristikat kryesore të dizajnit të mostrës për zonat rurale janë: Korniza e mostrës është krijuar duke përjashtuar zonat urbane nga baza e të dhënave të para-regjistrimit dhe pastaj duke marrë të gjitha QR-të nga lista e fituar; Duke zgjedhur në mënyrë të rastësishme qarqet regjistruese deri në 1% të ekonomive familjare bujqësore. Kështu që, madhësia përfundimtare e mostrës u caktua 26 qarqe regjistruese.
Karakteristikat kryesore të dizajnit të mostrës për zonat urbane janë: Korniza mostër është krijuar duke i marrë të gjitha qarqet regjistruese në zonat urbane, për të cilat shkalla e ekonomive familjare bujqësore, që ishin të përfshira në Regjistrimin e Bujqësisë ka tejkaluar 50%; Madhësia e mostrës së synuar ishte përafërsisht 1% e ekonomive familjare të RB në zonat urbane, e cila arrin pak më shumë se 200 ekonomi familjare.
Metoda e punës në zonën rurale: regjistruesi ka për ta gjetur personin (apo ekonominë familjare përkatëse) të listuar në LRB si kryefamiljar i ekonomisë familjare. Përveç kësaj, në qarqet regjistruese rurale, regjistruesi ka për ti identifikuar edhe ndërtesat (eventuale) e reja të banimit të banuara, të cilat nuk janë në listë. Ekonomia familjare që jeton në ndërtesën e re, po ashtu duhet të intervistohet.
Në zonat urbane, metoda e punës në APR është e njëjtë si në zonat rurale. Përderisa, në Regjistrimin e Bujqësisë ajo ishte e ndryshme.