Filloi panairi regjional për bujqësi Mitrovica 2011
Prishtinë, 16 shtator - Në fshatin Frashër të komunës së Mitrovicës filloi panairi regjional për bujqësi Mitrovica 2011.
Në këtë panair, i cili po organizohet për herë të dytë sivjet, prodhimet e tyre për dy ditë radhazi do ti ekspozojnë rreth 100 prodhues të pemëve, perimeve, bletëve dhe prodhimeve të ndryshme industriale, si dhe rreth 40 fermerë do ti prezantojnë racat e tyre të gjedheve.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se prodhuesit vendorë janë heronj të ekonomisë vendore dhe panairet e tilla me karakter promovues janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne që synojmë bashkërisht të zhvillojmë sektorin e bujqësisë.
Bujqësia është shtylla kryesore e ekonomisë së vendit dhe në një ditë të rëndësishme si kjo, përderisa në anën tjetër po zhvillohen hapa të rëndësishëm politik për vendin tonë, ne po mundohemi ti shtojmë edhe më shumë përpjekjet për të rritur mbështetjen institucionale, për të gjetur zgjidhje për problemet që rëndojnë mbi sektorin dhe për ti forcuar prodhuesit tanë, duke krijuar shtigje të reja për plasimin dhe shitjen e prodhimtarisë vendore."
"Është e nevojshme të angazhohemi të gjithë për krijimin e kushteve më të mira për prodhuesit vendorë, por jo vetëm duke investuar, sepse prodhimtaria vendore nuk mund të rritet vetëm duke investuar, por edhe duke e konsumuar atë, tha ministri Stavileci.
Ndërsa, drejtori i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK), Zenel Bunjaku, i cili njëherësh është edhe organizatori kryesor i këtij panairi, tha se duke e parë rolin e rëndësishëm që luajnë panairet në promovimin e produkteve bujqësore, vitin e kaluar së bashku me komunat dhe me Ministrinë e Bujqësisë vendosëm që të organizojmë edhe një panair regjional, i cili në të ardhmen mëton të jetë tradicional.
Të merresh sot me bujqësi është një sfidë, por është edhe një krenari, sepse krijon vende të reja të punës, lufton varfërinë, zhvillon shtetin, zvogëlon migrimin prej vendeve të thella rurale në ato urbane dhe kjo na bën shumë krenarë të gjithë neve. Unë besoj se viteve të ardhshme do ta pasurojnë edhe më shumë me produkte cilësore këtë panair, që edhe konsumatorët të orientohen drejt prodhimtarisë vendore dhe të binden se duke konsumuar produkte vendore ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, tha z.Bunjaku.
Panairi ka zgjuar një kurreshtje të madhe dhe ka pasur një numër relativisht të madh të vizitorëve, jo vetëm nga regjioni i Mitrovicës, por edhe më gjerë. Në ditën e dytë panairi do të mbahet në parkun afër xhamisë kryesore në qendër të Mitrovicës.