Filloi aplikimi për subvencione dhe grante në Ministrinë e Bujqësisë
Prishtinë, 29 mars - Në kuadër të masave që dalin nga Plani për Zhvillim Rural dhe Bujqësor 2010-2013, MBPZHR-ja do të vazhdojë mbështetjen për ristrukturimin e potencialit fizik në sektorin agro-rural dhe për mbështetjen e prodhimtarisë blegtorale, duke ndarë fillimisht subvencione dhe grante investive për sektorin e prodhimtarisë së qumështit, për sektorin e hortikulturës në ngritjen e sipërfaqeve me pemishte të reja, me serra të reja dhe me rrush tryeze, si dhe për pagesa direkte për kafshët e imëta (dele dhe dhi).
Gjatë këtij viti, për herë të parë do të mbështetet edhe sektori i shpezëtarisë, përkatësisht prodhimtaria e vezëve, pastaj prodhimtaria e bimëve të imëta (dredhëza, mjedra dhe manaferra), si dhe këtë vit në mekanizëm bujqësor do të mbështeten edhe prodhuesit e perimeve në fushë të hapur.
Me qëllim të përmirësimit të standardeve të cilësisë së prodhimit dhe rritjes së prodhimtarisë intensive, fermerët do mbështeten edhe në kompletimin e infrastrukturës përcjellëse dhe pajisjeve në fermë, si dhe gjatë muajve të ardhshëm, do të hapet periudha për aplikim edhe për pagesat direkte për krerë të lopëve qumështore dhe për mbështetjen e projekteve publike e private që kanë ndikim në zhvillimin e komunitetit lokal dhe përmirësimin e jetesës së popullatës që jeton në zona rurale.
Periudha për aplikim do të jetë e hapur gjashtë javë nga data e aplikimit dhe pasi që shuma e mjeteve është e kufizuar, aplikacionet e para që dorëzohen, do të jenë aplikacionet e para që shqyrtohen dhe procesohen.