Fermerët përfitojnë nga marrëveshja mes Postës dhe AZhB
Prishtinë, 29 korrik - Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB) do të shfrytëzojë edhe shërbimet e Postës së Kosovës Sh.A për të komunikuar me fermerët kosovarë.
Çdo lloj informate do të përcillet tek fermerët përmes Postës së Kosovës dhe për kryerjen e këtij shërbimi do të ketë konfirmim me shkrim për AZhB-në.
Marrëveshja për këtë shërbim postar është nënshkruar të hënën në Prishtinë mes Kryeshefit Ekzekutiv të PK-së, Sejdi Hoxha dhe Kryeshefit Ekzekutiv të AZhB-së, Elhami Hajdari.
Kjo është e dobishme për fermerët, por edhe për Agjencinë. Fermerët do të informohen me kohë për gjithçka dhe kjo është shumë e rëndësishme për bashkëpunimin mes AZhB-së dhe fermerëve, ka thënë Hajdari.
Ndërkaq, Kryeshefi i Postës është shprehur i kënaqur që përmes shërbimeve postare po përfitojnë institucione të ndryshme dhe klientët e tyre.
Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë me ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjitha kompanitë publike dhe private si dhe për secilin qytetar të Kosovës, ka thënë Hoxha.
Posta e Kosovës Sh.A është i vetmi operator publik postar në Kosovë. Kjo ndërmarrje është ndarë nga PTK në gusht të vitit të kaluar.